E hëna shënon zyrtarisht nisjen e procesit të kolaudimit të automjeteve, pas një periudhe pezullimi prej pesë muajsh. Kreu i Drejtorisë së Shërbimit dhe Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe shpjegoi në emisonin E-ZONË në Vizion Plus se kush do të jenë kategoritë që do t’i nënshtrohen kolaudimit gjatë këtij viti.
“Çdo makinë e re që është targuar për herë të parë, çdo automjet që nuk ka një certifikatë të vlefshme, pra nuk e ka kaluar testin, makinat e rënda të transportit, taksitë, autobusët si dhe mjetet e administratës, do të njoftohen gradualisht për orën dhe ditën e kolaudimit të mjetit të tyre”, deklaroi kreu i DPSHTRRSH. Sa i përket makinave që iu ka skaduar certifikata e kolaudimit, vlefshmëria e tyre do të shtyhet me 12 muaj plus.
“E thënë ndryshe, kujt i ka skaduar kolaudimi nga data 24 dhjetor 2020, kohë kur hyri në fuqi Akti Normativ që shtyn vlefshmërinë e kolaudimit, ai fiton 12 muaj plus, pra do t’i nënshtrohet kontrollit teknik në 2022”, sqaroi Gonxhe. Prenotimi do të kryhet online. Të dhënat e automjetit do të gjenerohen në portalin E-Albania, por çdo informacion do të merret edhe në faqen zyrtare të Drejtorisë së Shërbimit dhe Transportit Rrugor. Tarifa mbetet e pandryshuar, 1960 lekë, e vlefshme për dy vite për makinat me qëllim personal.