Dashi: Po fillon tashmë për ju një fazë rikuperimi, që do të zgjasë disa ditë. Muaji maj nuk ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme. Shpeshherë ju ka ndodhur që të humbni durimin dhe t’ua shfryni inatin të tjerëve. Bëni kujdes me mënyrën si shpreheni, sepse mund të shkaktoni krisje të pariparueshme në raportet tuaja.
Demi: Nëse keni pasur probleme, duhet të përpiqeni t’i zgjidhni. Nëse dikush ka disa përgjigje për t’ju dhënë, po bën çmos që ta shmangë kontaktin me ju dhe kjo gjë ju bën nervozë. Ju pëlqen që gjërat t’i bëni në mënyrë të pavarur, por hëpërhë jeni të detyruar të bashkëpunoni me personin që keni në krah, si në punë edhe në çështjet personale.
Binjakët: Nuk është e thënë që problemet të zgjidhen sa hap e mbyll sytë, por ama mund të krijohen kushtet e përshtatshme për takime të frytshme. Ajo që në pamje të parë mund të duket si diçka e paqëndrueshme, mund të zgjidhet në mënyrë të kënaqshme për ju. Yjet ju këshillojnë që të mos izoloheni dhe të ruani kontaktet me të tjerët.
Gaforrja: Bëni pjesë tek ata njerëz që shqetësimet psikologjike ju ndikojnë për keq edhe fizikisht. Prandaj nuk është çudi që problemet që keni pasur së fundmi t’ju kenë shkaktuar dhembje trupi. Bëni kujdes edhe nga shpërqendrimet e panevojshme dhe mos u merrni me vogëlsira, por me thelbin e gjërave.
Luani: Në këtë fazë të jetës suaj jeni më pak të gatshëm për të qenë të hapur ndaj bashkëpunimit dhe krijimit të marrëdhënieve të reja. Kjo mund t’ju shkaktojë tensione me të tjerët. Duhet të tregoheni të kujdesshëm në marrëdhënie me ta dhe t’i matni fjalët. Është më mirë që të mbani distancë me personat që ju nervozojnë.
Virgjëresha: Shpeshherë motoja juaj është: “Qëllimi justifikon mjetin.” Por së fundmi ndonjë shqetësim fizik jua ka ndërlikuar jetën. Mos u bini gjërave rrotull, nëse duhet të bëni një zgjedhje të rëndësishme. Në dashuri dikush mund të tregohet i pasigurt kundrejt jush dhe t’jua shtyjë vazhdimisht afatin në lidhje me një premtim që ju ka bërë.
Peshorja: Për ju që po përjetoni një histori të re dashurie apo jeni tepër të lidhur me partnerin, ky është momenti i përshtatshëm që të hidhni hapin e radhës në lidhjen tuaj. Nëse vëreni se dikush po e ngre zërin për të forcuar pozitat e veta, ju me maturinë që ju karakterizon mundohuni që të qetësoni situatën. Bëni kujdes në punë dhe mundohuni të pajtoheni me ambientin që ju rrethon.
Akrepi: Pritet që kjo të jetë një javë negative për të lindurit Akrepa, por që nuk do të lërë gjurmë në jetën tuaj, sepse Jupiteri ju jep forcë. Ata që kanë një aktivitet të vetin dhe që po punojnë me një projekt të ri, me siguri që do të kenë sukses. Yjet ju këshillojnë që të ruani qetësinë në marrëdhënie me të tjerët dhe t’i shtrini këmbët sa keni jorganin.
Shigjetari: Në përgjithësi kjo do të jetë një javë e mbarë për Shigjetarët. Ata që kanë një provim të rëndësishëm për të dhënë apo që presin të japin një intervistë pune, me siguri që do të heqin një peshë nga vetja dhe do të ndihen të kënaqur. Ditën e diel do të merrni kënaqësi në sferën e ndjenjave, por kujdes të mos veproni vetëm me instinkt.
Bricjapi: Nuk është e lehtë t’i përballoni ndryshimet e mëdha që po ju kushtëzojnë në këto momente delikate. Nëse për shumë vite keni qenë në krah të një personi thuajse duke u fshehur, tashmë dashuria do të jetë në plan të parë. Ose për arsye se ky person nuk është më i pranishëm ose sepse keni vendosur të merrni në dorë frerët e jetës suaj.
Ujori: Para jush do të shpalosen perspektiva të reja. Keni vuajtur për faktin që në raportin në çift keni pasur konkurrencë me partnerin në vend që mes jush të ekzistonte harmonia. Por tashmë gjërat po ndryshojnë. Hëna në shenjë ju favorizon. Në dashuri mund të tregoheni lojcakë, por kur vjen fjala te puna mos e këmbeni të sigurtën me të pasigurtën.
Peshqit: Keni kaluar ditë të vështira, prandaj tani mundohuni të ruani qetësinë. Në dashuri gjërat do të ecin më mirë. Për shkak të disa problemeve në punë, ia keni kushtuar kohën më të madhe asaj dhe me raste keni lënë pas dore partnerin. Nëse hera-herës keni gabuar, për këtë kthejeni gishtin nga vetja, pasi fajtori jeni ju.