Restorantet, dyqanet dhe hapësirat kulturore në të gjithë Francën rihapen sot, pas disa muajsh të mbyllura, si pasojë e pandemisë së koronavirusit. Franca është vendi me numrin më të madh të të infektuarve në Evropë: mbi 5.9 milionë.
Por nga sot, grupe me deri në gjashtë persona do të lejohen të hanë së bashku në tarracat e restoranteve.
Po ashtu, ora policore do të nisë nga ora 21:00 dhe jo 19:00. Fushata e vaksinimit në Francë po ashtu është përshpejtuar javëve të fundit. Më shumë se 20 milionë njerëz tani kanë marrë një dozë të vaksinës, ndërsa gati nëntë milionë i kanë marrë të dyja dozat.
Qeveria kishte vendosur si synim për të vaksinuar 20 milionë qytetarë deri në mes të majit.
Sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins, Franca ka regjistruar mbi 108,000 viktima nga koronavirusi.