Pas paradës në disa qytete të Shqipërisë, karvani i mjeteve RETRO nga koleksioni shqiptar zhvilloi sot paradën e radhës në Shkodër. Kryeministri Edi Rama solli sot një album me foto nga ky aktivitet i organizuar nga RETRO Albania dhe DPSHTRR.

“Shkodra Retro e bukur si qëmoti”, tha Rama, duke ndarë një album me foto nga ky aktivitet.

Në Shqipëri, ka një numër të konsiderueshëm mjetesh rrugore të hershme, por që për shkak se nuk ka pasur një akt ligjor që të mbrojë dhe promovojë këtë pasion, nuk kanë qenë asnjëherë të ekspozuara tërësisht. Ndaj aktivitetet e këtij lloji janë një manifestim i së bukurës mbi katër rrota.

Tashmë DPSHTRR, ka krijuar edhe Qendrën Historike Shqiptare RETRO, një hapësirë ku mund të gjenden mjete të hershme dhe jo vetëm, por edhe pjesë mjetesh, dokumentacione, targa të ruajtura nga koleksionistë të sendeve apo relikeve të vjetra dhe që janë të mirëmbajtura.