Gianluigi Buffon në 360 gradë. E kaluara, Juventusi dhe një e ardhme, mbi të cilën mbretëron ende një pikëpyetje e madhe. Portieri, i freskët nga divorci i dytë me bardhezinjtë, i intervistuar nga ‘GQ’ ofron disa të dhëna të vlefshme:
“Aty ku do të më shihni, sinqerisht ende nuk e kam idenë më të zbehtë, gjithçka më çon të largohem nga Italia, sepse në fund të fundit eksperienca në Paris ishte e bukur për mua, më pasuroi si futbollist dhe njerëzisht, u ndjeva si një person më i mirë. Dhe pastaj, nëse dua të vazhdoj të përparoj si burrë, duhet të përpiqem të kem një lloj tjetër eksperience, që nuk është në Itali, sepse thjesht ideja e të mësuarit të një gjuhe tjetër, të biesh në kontakt me njerëz të tjerë dhe të kapërcesh vështirësitë, të gjitha janë hapa që të japin shumë besim.
Unë ndiej se jam mirë kur kuptoj se bëj diçka për ta përmirësuar veten si person dhe jo vetëm si futbollist. I thashë agjentit tim të mos kërkonte në Europën Veriore, sepse nuk është një nga dëshirat e mia. Është diçka që unë e përjashtoj apriori. Parma? Nuk e di, sepse nuk kam dëgjuar interesim prej saj. Para së gjithash kam për të parë nëse do të vazhdoj të luaj, sepse thashë se do të merrja njëzet ditë kohë, pastaj me qetësi të plotë do të vendos nëse do të vazhdoj dhe ku, ose nëse do të ndalem, sepse jam mjaft i kënaqur me karrierën time. Me siguri, Parma dhe Juve janë skuadrat e vetme, ku unë mund të luaja në Itali, por nëse dua diçka, që mund të më bëjë të rritem si person, kjo diçka mund të më jepet vetëm jashtë vendit”.
Buffon, pasi fitoi Kupën e Italisë dhe përfundoi i katërti në kampionat, vendosi të tërhiqet nga Juve: “Unë mendoj se përfundimi i historisë me Juventusin ishte gjëja e duhur, sepse pas 20 vitesh në këtë nivel dhe një marrëdhënieje respekti total reciprok, besoj se një lojtar si unë nuk mund të qëndronte në një vend me një rol të caktuar, si ai që kam. E provova dy vitet e fundit, pa pasur motivin, pa qenë në gjendje të jepja gjithçka. Në fund të sezonit, me shumë besnikëri i thashë Juves se nuk do të rinovoja. Tani, akoma dua të ndihem i gjallë, kam stimuj dhe fizikisht jam mirë, kështu që është e drejtë të provoj një përvojë tjetër jashtë vendit, ose një vit tjetër si protagonist diku”.