Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj thotë se reforma në sistemin e burgjeve ka përfshirë kuadrin ligjor, strukturor dhe infrastrukturor në respekt të plotë gjithashtu të të drejtave të njeriut dhe trajtimit të të dënuarve. Zonja Gjonaj thekson se prej fillimit të përgatitjes së paketës ligjore të reformës në sistemin penitenciar deri në miratim dhe hyrjen në fuqi, procesi ka qenë jashtëzakonisht i vështirë për shkak se është ndryshuar në mënyrë tërësore i gjithë kuadri ligjor. Megjithatë ministrja thekson se edhe me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, në këta 4 vjet reforma është arritje në të gjitha rezultatet në aspektin e sigurisë në sistemin e burgjeve.

“Kjo, – vijon ministrja Gjonaj, – jo vetëm në përfshirjen dhe aplikimin e një regjimi të posaçëm siç ishte “41 bis”, por nga ana tjetër edhe për një sërë masash sigurie duke digjitalizuar sistemet dhe njëkohësisht duke i dhënë garancinë dhe sigurinë të gjithë punonjësve të Policisë së Burgjeve, që të zbatojnë ligjin me pririoritet”. Zonja Gjonaj thekson ndërkaq se sot me të gjithë mundësitë e krijuara, mbipopullimi në sistemin e burgjeve është -20%, ose nën kapacitetin e përcaktuar në institucionet penitenciare. “Kjo sjell lehtësim jo vetëm të masave që duhet të merren ndaj personave të burgosur por nga ana tjetër sjell edhe një trajtim më të mirë të tyre. Dhe duke mbajtur parasysh edhe situatën e pandemisë, ulja apo pasja e numrit të personave të burgosur nën kapacitetin e përcaktuar nga institucionet penitenciare, na ka ndihmuar për t’i trajtuar ata në një mënyrë më të përshtatshme, në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të personave të burgosur”-tha ajo për Top News.

Ajo shton se në fund të këtij mandati, ka patur menaxhim shumë të mirë për uljen e numrit të personave të dënuar apo paraburgosur në sistemin penitenciar.