Gjon’s Tears, shqiptari që përfaqësoi Zvicrën këtë vit në Eurovision dhe u rendit i treti në finale, ishte të hënën e sotme i ftuar në emisionin “Abc e Pasdites”. Ai tregoi gjithë emocionin që përjetoi në backstage, por edhe në skenën e Eurovision. Një moment tjetër dhe shumë i veçantë ishte takimi me shumë artistë që përfaqësonin vende të ndryshme. Gjoni tha se me Anxhelën ishte miqësuar aq shumë dhe se kishin mbështetur njëri tjetrin.

Më pas ai u emocionua gjatë emisionit për shkak të fjalëve që Anxhela Peristeri tha publikisht për të. Anxhela nënvizoi se është shumë e lumtur për këngën e tij që u vlerësua maksimalisht në Eurovizion sepse ai e meritonte.

Ndërkohë Gjoni u shpreh:

“Në momentet që kishim nevojë për energji ajo ishte aty. Është artiste shumë e mirë dhe me zemër të madhe. Duhet me i rujt këta njerëz”.

Gjoni mbeti pa fjalë nga një telefonatë që mori nga këngëtarja e njohur, Aurela Gaçe gjatë emisionit. Ajo i tha se e ka mbështetur Gjonin sepse ashtu e ka ndjerë, për më tepër që më vonë mësoi se nëna e tij ishte me origjinë nga Vlora, nga fshati shumë afër vendlindjes së saj.

Ndërkohë Gjoni tha se i pëlqen shumë muzika e saj, dhe se është një artiste shumë e madhe se gjithmonë ke treguar se mund të bësh më shumë dhe ke gjithë ngjyrat tek vetja.

“Gjithmonë të kam pëlqyer, edhe kur isha fëmijë të kam ndjekur. Kur të pashë në Eurovision për mua ishte një wow ca është ky programi që del Aurela Gaçe. Kur e pashë në televizor më ka dhënë gjithë atë energji sa thashë dua dhe unë njëherë të shkëlqej tek skena më e madhe si Aurela Gaçe”, u shpreh Gjon’s Tears.

Moderatori Ermal Peçi u zotua se do t’i ulë dy artistët në një drekë, por Aurela Gaçe i vuri një kusht: “Gjon, thuaji mamit të mësoj edhe një labçe!”