Partia Demokratike ka dorëzuar në KAS, 9 dosje në dukje voluminoze për shkeljet e pretenduara elektorale në 9 qarqe të vendit, konkretisht për Kukësin, Durrësin, Tiranën, Elbasanin, Fierin, Beratin, Gjirokastrën, Korçën dhe Vlorën.
Këto dosje, të cilat PD i paraqiti si të rënda sa u përket provave, po rezultojnë të mbushura me fletë-rrufe, me gafa, pa prova, me thashetheme dhe vetëm me deklarata politike.
Me letra paçavure në sasi të madhe, PD kërkon të ripërsërisë zgjedhjet në 9 qarqe.
Të ashtuquajtura padi, janë qesharake, të shkruara shkel e shko, sa për të kaluar radhën, mbi baza thashethemesh.
Fakt për PD janë ato çfarë thuhen lart e poshtë dhe jo provat që mund të jenë me figurë, me zë apo dhe denoncime konkrete.
Se si tallet PD e tregojnë edhe disa pjesë të padive që CNA.al ka siguruar dhe do të sjellë më poshtë.
Pjesë nga një padi për qarkun e Fierit
Në një padi në dosjen e Fierit dhe konkretisht për zonën e Frakullës, nuk paraqitet asnjë provë konkrete, për më tepër PD duket se nuk ka qenë në dijeni as në lidhje me kufizimin e orareve në kuadër të masave anti-covid.
Përgjatë fushatës elektorale, orari i kufizimit, ishte nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 22.00 të mbrëmjes, por PD edhe pse nuk respektonte masat anti-covid në takimet e saj, orarin e mbylljes e ka pasur në orën 20.00.
“Qemal Hasani, drejtues i bordit të fushatës elektorale të Partisë Socialiste dhe Sekretar i Grup Seksionit të Partisë Socialiste në zonës e Frakullës zhvillon aktivitet të kundraligjshëm, duke shkelur disa akte ligjore e nën ligjore.
Ky shtetas në kundërshtim me aktin normativ për kufizimin e lëvizjes në lidhje me pandeminë lëviz në orët e vona të natës pas orës 20.00 dhe zhvillon takime me familjet e evidentuara prej tij si votues të Partisë Socialiste, të cilët kanë shfaqur dëshiren e tyre, për të mos votuar më Partinë Socialiste.
Ky shtetas i kërcënon këta shtetas që të vazhdojnë të votojnë Partinë Socialiste, pasi në rast të kundërt ndaj tyre, do të merren masa nga organet shtetërore si largim nga puna për personat e punësuar në administratë, heqjen e subvencioneve dhe përfitimeve të marra prej fshatarëve në bazë të ligjit apo vendosjen e gjobave prej organeve të rendit e tatimore peë personat e vetëpunësuar.
Ky shtetas shpërndan para në këmbim të premtimit për votimin për Partinë Socialiste në familjet në nevojë të zonës së Frakullës e më gjërë. Ne shprehim gjithë besimin se institucioni juaj, do të veprojë në mënyrë të shpejtë, efikase dhe pa ngurim, dhe e presim me vëmendje maksimale dhënien rruge të këtij kallëzimi sipas procedurës përkatëse”, thuhet në një pjesë të padisë për Qarkun e Fierit.
Pra, sipas fjalëve që PD ka dëgjuar lart e poshtë, zgjedhjet duhet të dalin të pavlefshme, pasi drejtuesi i strukturave të PS, në Frakull, Qemal Hasani ka dalë pas orën 20 të mbrëmjes, edhe pse nuk ka shkelur asnjë akt normativ.
PD quan vepër penal, grupet në WhatsApp
Nuk kanë ndaluar çmenduritë e PD-së me të ashtuquajtura padi. Ata shkojnë deri aty saqë konsiderojnë si provë dhe quajnë vepër penale, grupet e hapura në WhatsApp, të punonjësve të Bashkisë së Kuçocës.
“Sipas informacioneve të publikuara ne media, punonjësit e Bashkise së Kuçovës janë futur në një grup-chat ne rrjetin ËhatsApp, me qëllim që këta të fundit të udhëzohen për të bërë like, komente dhe share të postimeve të Kryetarit të Bashkisë Kuçovë, me qëllim rritjen e dukshmërisë së faqes së tij dhe përhapjen në mënyrë masive të postimeve me qëllime propagandistike”, thuhet në padi dhe që konsiderohet si prova numër 17./CNA.al