Ka qenë lajm në ajër për javë të tëra, tani është zyrtare: Hansi Flick do të jetë trajneri i ri i Gjermanisë. Ish-trajneri i Bayern Munich nënshkroi deri më 30 qershor 2024 me Federatën Gjermane të Futbollit. Pasi fitoi gjithçka në stolin e klubit bavarez, Flick ka vendosur t’i thotë lamtumirë Bayernit dhe të fillojë një aventurë të re, duke nisur nga mbyllja e finaleve të “Euro 2020”.

Trajneri i Gjermanisë në Kampionatin Europian të kësaj vere do të jetë ende Joachim Low, i cili disa muaj më parë njoftoi lamtumirën e tij nga ekipi kombëtar pas 14 viteve, gjatë të cilëve fitoi Kupën e Botës më 2014. Prandaj, Flick do të drejtojë kombëtaren gjermane në Kupën e Botës 2022 në Katar dhe të paktën deri në Kampionatin Europian, i cili do të luhet në Gjermani, më 2024.