Legjenda do të thotë prapë se tifozët as kësaj radhe nuk ishin fajtorë për dështimet. Mirë, kësaj radhe as në arenën e Schalkes dhe as në stadiumin FC Köln nuk kishin tifozë si viteve të kaluara. As në Bremen, nuk kishte shikues në stadium, por në ditën e 34-të dhe të fundit të kampionatit, kjo nuk ka penguar asnjë prej këtyre ekipeve që të dëshmojë kualitetin sportiv. Përpara stadiumeve u mblodhën shumë shikues në shenjë mbështetjeje, ndërsa policia kishte frikë nga shkelja e rregullave të pandemisë Corona. Lojtarët e Verderit kishin më shumë frikë nga kundërshtarët në fushë dhe në fund humbën ndeshjen nga Borussia Mönhengladbach me rezultat 4-2. Një lojë shumë e dobët, aq e dobët e Verderit, sa edhe vetë trajneri i ekipit Thomas Schaaf, ishte i trishtuar.
Meritat nga e kaluara
Schaaf është pjesë e klubit të Verderit plot 14 vjet. Ai u riangazhua para ndeshjes së fundit për të shpëtuar ekipin, por dështoi. Në pesë vitet e fundit ai nuk kryente më detyrën e trajnerit. Angazhimi i tij para ndeshjes së fundit dëshmon të gjithë dëshpërimin e krerëve të Verderit, sepse ky ekip në 10 ndeshjet e fundit ka fituar vetëm një pikë. Ndësa në Köln, trajneri i angazhuar së fundi, Friedhelm Funkel, ishte më i suksesshëm. Funkel arriti të kualifikohet në vendin e 16 të tabelës, që i mundëson lojën e barazhit me të tretin e Ligës së Dytë, për mbetje në Bundesligën e Parë. Funkel sikur edhe Schaaf i kanë meritat e tyre nga e kaluara, si trajnerë me shumë eksperiencë. Por ata i takojnë të kaluarës.
Shikuar nga kualiteti i ndeshjeve të Kölnit apo Bremenit, asnjëra prej këtre skuadrave nuk e ka merituar të mbetet në Bundesligë. Ndërsa ekipi i Schalkes ka dështuar prej kohësh, pas dështimit total të krerëve të klubit. Ky ekip me meritë zuri vendin e fundit.
Masat e ardhshme
Menaxheri i Kölnit, Horst Heldt, me mënyrën si rrinte ulur në stolin e lojtarëve ditën e shtunë, sinjalizonte një çrregullim dhe mundësinë e ndryshimeve. Ai mbase e ka kuptuar, por ky klub edhe më tej gjenden në probleme të mëdha strukturore, të cilat nuk do të zgjidhen shpejt. Javën e ardhshme në ndeshjet e relegacionit do të vendoset nëse Kölni do të mbetet në Ligën e Parëapo jo, por është shumë e qartë që shikuesit prapë do të mbushin stadiumin, sapo të hiqen masat e pandemisë.
Verderi – borxhet dhe mungesa e trajnerit
Fakt është që Bielefeldi arriti që në ndeshjen e fundit të sigurojë mbetjen në Ligën e Parë, me trajnerin e ri Frank Kramer. Nga ana tjetër, konkurrentët në këtë garë dukeshin të moshuar, të lodhur, të ngatërruar në argumente apo të mbetur në kujtimet e viteve të kaluara. Pas shënimit të golit shpëtues në Köln, u dëgjua muzika e karnavaleve “Kölle Alaaf”. Ky gol i siguroi vazhdimin e garës për mbetjen në Ligë. Ndërsa Bremeni? Tani atje do të ketë një katarsis dhe përkundër gjendjes së rëndë financiare, klubi duhet të gjejë fuqi të rikthehet në kategorinë e parë.
Fatkeqësisht, as në Köln, as në Bremen dhe as në Gelsenkirchen nuk është gjetur rruga e duhur për një drejtim modern të klubeve. Mbështetësit do të shajnë, nëse bëjmë ndonjë krahasim me RB Leipzig, por nëse politika e tanishme nuk ndryshon, atëherë këto klube do të mbeten tërë kohën vetëm tek sharjet. Një menaxher klubi i formatit të Oliver Mintzlaff (RB Leipzig) nuk shihet në horizont në Verder apo në Schalke dhe Köln. Në vend të kësaj, ato po mbështeten tek kuadrot e vjetra. Por tifozët, mbështetësit dhe në radhë të parë financuesit, duhet të kërkojnë ndryshime dhe modernizimin e drejtimit të këtyre klubeve. Vetëm këngët e vjetra, me siguri nuk do të ndihmojnë.