Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, njoftoi se numri i të vaksinuarve kundër koronavirusit të ri (COVID-19) ka arritur në afro pesë milionë, duke theksuar se për shkak të kësaj do të hiqen shumë masa, përfshirë orën policore.
“Në mbarë vendin janë administruar vaksina kundër COVID-19 për 4,8 milionë persona, ndërsa në fundjavë kjo shifër do të tejkalojë numrin pesë milionë”, theksoi kryeministri Orban në fjalimin e tij javor për radion shtetërore Kossuth Radio.
“Kur vaksinimi do të arrijë mbi pesë milionë do të hiqen masat si ora policore, mbajtja e maskës në zona të hapura dhe mbyllja e detyrueshme e vendeve të punës në kohë të caktuar”, shtoi ai.
Orban tha se përveç vaksinës së administruar deri më sot në vend do të arrijnë 7,3 milionë doza BioNTech-Pfizer, 4,7 milionë AstraZeneca, katër milionë Jansen dhe 1,2 milion Moderna, duke shtuar se në rast të nevojës do të mund të administrohen edhe dozat e treta dhe të katërta kundër COVID-19.
Hungaria ishte vendi i parë anëtar i Bashkimit Europian (BE) që ka bërë marrëveshje vaksinash me Kinën dhe Rusinë.