Ditën e djeshme vetë televizioni “Top Channel”, zbuloi se janë hapur audicionet për spektaklin e famshëm, që pritet prej disa vitesh, “Big Brother VIP”. Ndryshe nga herët e tjera, këtë vit spektakli do të bëjë pjesë të shtëpisë më të madhe njerëz të famshëm, të cilët duhet të mësojnë të jetojnë larg komoditeteve të jetës së përditshme.
“Shtëpia më e famshme e Shqipërisë së shpejti do të rihapë dyert për banorët e saj.
Por këtë radhë ka një ndryshim, aspak të vogël… ata janë të gjithë PERSONAZHE VIP. Në udhëtimin e tyre banorët do t’u nënshtrohen kushteve të pazakonta, brenda një shtëpie që askush s’e kishte imagjinuar, larg luksit, larg komoditeteve të jetës së përditshme”, thuhet në një njoftimin e “Top Channel”.
Së fundmi, burime për “Kryefjala.com” kanë zbuluar se dy konkurrentet e para do të jenë pikërisht vajzat që trazuan rrjetin në “Për’puthen”, Shqipe Hysenaj dhe Tea Trifoni.
Pas pikëpyetjeve të mëdha se kush do ta drejtojë spektaklin e famshëm, u tha po ashtu se moderimi i emisionit i është ofruar Arbana Osmanit dhe me shumë gjasa, ajo do ta pranojë këtë propozim.
Për vite me radhë “Big Brother” ka qenë ekskluzivitet i Arbanës. Për momentin, ajo është në përfundim të ciklit të emisionit tjetër, “Dua të të bëj të lumtur”.