Sassuolo, Inter, Bologna. Në këto tri ndeshje do të varet fati i kualifikimit të Juventusit në Champions-in e sezonit të ardhshëm. Ky objektiv, në fakt nuk varet më nga bardhezinjtë, por rivalët. Një rrugëtim i mbetur sezonal me hijen e skualifikimeve të katër lojtarëve, të gjithë shumë të rëndësishëm për Andrea Pirlo.
Takimi i parë vendimtar do të jetë sonte në “Mapei Stadium”, ku Juventusi do të kthehet brenda një jave për finalen e “Coppa Italia”. Bardhezinjtë do t’i kushtojnë vëmendje rezultatit, por edhe një detaji tjetër: kartonëve të verdhë. Të katër të paralajmëruarit në fakt rrezikojnë skualifikimin ndaj Interit në rast të një kartoni tjetër të verdhë sonte. Ata janë Leonardo Bonucci, Matthijs de Ligt, Weston McKennie dhe Cristiano Ronaldo.
Mbetet për t’u parë se cili nga këto do të dalë në fushë kundër Sassuolo këtë mbrëmje. Në çdo rast, rreziku i skualifikimit do të mbetet i vlefshëm edhe për ndeshjen tjetër. Me një karton të verdhë kundër Interit ata do të humbin udhëtimin në Bolognë, ndeshjen e fundit të kampionatit aktual.