Juventusi është duke luftuar për një vend në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm dhe rrezikon të detyrohet ta shesë Cristiano Ronaldon, nëse dështon ta arrijë kualifikimin. Pas humbjes së thellë 3:0 kundër Milanit të dielën, Juve bie në vendin e pestë në tabelën e Serie A, me një pikë më pak se vendi i katërt, Napoli. Pa pjesëmarrje në garën më prestigjioze, të ardhurat e klubit do të shënojnë rënie të madhe.

Prandaj, mediat italiane raportojnë se gjiganti italian do të detyrohet t’i ndajë rrugët me superyllin portugez nëse e mbyll sezonin jashtë top katërshes në Serie A. Por ish-ylli i Manchester Unitedit dhe Real Madridit do të largohet nga Juventusi, gjithsesi, pasi ai nuk dëshiron të luajë në një skuadër e cila nuk bën gara në Ligën e Kampionëve.

Menaxherit të tij do t’i duhet të bëjë kompromise, megjithatë, sepse asnjë klub nuk mund ta përballojë pagën e tij të lartë. Ronaldo i ka shënuar 27 gola në Serie A deri tani këtë sezon dhe mund ta ndihmojë zonjën e vjetër të kualifikohet, pasi kanë mbetur edhe tri ndeshje deri në fund. Por jo gjithçka varet nga Juventusi.