Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, ka kërkuar nga kjo parti që të distancohet nga Sali Berisha, pas shpalljes së tij “non grata” nga SHBA.

Kadilli shprehet në reagimin e tij, se Berisha duhet ta sqarojë privatisht këtë çështje, duke mos përfshirë PD-në.

“Lajmi i shpalljes së z. Berisha persona non grata nga Sekretari i Shtetit, ka provokuar shumë emocione, sidomos mes mbështetësve dhe atyre që kanë rrugëtuar në politikë krah tij.

Në 30 vjetorin e vendosjes se marrdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara, ky vendim sjell shqetësim për të gjithë.

Kujtoj ende imazhet e drejtuesve demokratë Berisha dhe Pashko, si të ftuar specialë të këtij momenti historik.

Sot, në një situate krejtësisht të përmbysur, Berisha i ka të gjitha mundësitë, synimet dhe etikën të mbrohet dhe ta sqarojë këtë çeshtje privatisht.

Kam bindjen se ai do e shmangë PD nga përfshirja në këtë çështje të së djeshmes duke e marrë nën emrin e vet betejën finale për emrin dhe historinë.

Partia Demokratike, si partia e atyre që formuluan idetë politike dhe u frymëzuan nga zëri dhe ethosi amerikan, do të jetë dhe duhet të jetë e qartë në qëndrimin ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë, dhe nuk do t’i kompromentojë në asnjë rast marrëdhëniet me partnerin strategjik dhe mikun më të madh të Shqipërisë”, thotë Kadilli.