Kina hodhi sot poshtë urdhrin e presidentit amerikan, Joe Biden për të hapur hetime të reja nga agjencitë amerikane të inteligjencës mbi origjinën e koronavirusit, duke akuzuar SHBA-në se po kërkon të politizojë kërkimin. Zëdhënësi i Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme, Zhao Lijian akuzoi sot SHBA-në se po përpiqet të hedhë përgjegjësinë e pandemisë mbi Kinën dhe mbrojti vendin e tij kundër dyshimeve, sipas të cilave koronavirusi mund të ketë shpëtuar nga një laborator kinez pas një aksidenti.
Ai nënvizoi se ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) kishin arritur në përfundimin, në muajin shkurt, se një dalje nga laboratori ishte shumë e pamundur pas hetimeve të kryera në qytetin qendror të Wuhanit. “Disa persona në SHBA mbyllin sytë përballë fakteve”, deklaroi Zhao duke shtuar se ata po përpiqeshin të tërhiqnin vëmendjen nga reagimi i tyre i paaftë ndaj pandemisë.
Ai gjithashtu sugjeroi se koronavirusi mund të kishte ardhur nga një laborator ushtarak amerikan.“Ka shumë dyshime rreth laboratorit në Fort Detrick dhe SHBA-ja ka më shumë se 200 laboratorë biologjikë në të gjithë botën”, theksoi ai. tha ai.
Nëse SHBA-ja i kërkon Kinës të marrë pjesë në një hetim të plotë, ai theksoi se Kina do t’i kërkonte SHBA-së të ndiqte shembullin e Kinës dhe të autorizojë hetime ndërkombëtare.
Më herët presidenti amerikan, Joe Biden urdhëroi komunitetin e shërbimeve sekrete amerikane të shtojë hetimet mbi origjinën e COVID-19 pasi prova të reja befasuese treguan se virusi mund të kishte shpëtuar aksidentalisht nga një laborator në Kinë.
Në një deklaratë, Biden theksoi se zyrtarët e shërbimeve sekrete i kishin paraqitur një raport në fillim të këtij muaji që përcaktonte që COVID-19 doli nga kontakt njerëzor me një kafshë të infektuar ose nga një aksident laboratorik.
”Agjencitë amerikane kanë besim të moderuar në të dy skenarët dhe nuk janë në gjendje të vlerësojnë se cili prej tyre ka më shumë të ngjarë se tjetri”, tha Biden. ”Vlerësimi pa përfundime kërkon hetime të mëtejshme”, nënvizoi Biden.