Ronald Koeman doli në konferencën për shtyp para ndeshjes së fundit të kampionatit. Hollandezi ishte i shqetësuar për të ardhmen e tij, madje i mërzitur nga mungesa e komunikimit me klubin. Nëse diçka ishte e qartë në këtë paraqitje para mediave, Koeman dëshiron të flasë me Laporta sa më shpejt të jetë e mundur.
Objektivi – “Ne jemi duke u përpjekur të bëjmë lojën më të mirë të mundshme, edhe pse e vetmja gjë që mund të bëjmë është të fitojmë. Është ndeshja e fundit dhe unë do të doja ta përfundoja me fitore këtë sezon”.
Vazhdimësia – “Unë me të vërtetë nuk e di nëse do të vazhdoj. Ne ramë dakord të flasim në fund të sezonit. Do të flasim pas ndeshjes së nesërme. Unë dua të përmbush kontratën. Ka gjëra për të ndryshuar, që i kemi bërë tashmë në sezonin e parë, por fjala e fundit i mbetet presidentit. Do të flasim dhe do të shohim”.
E ardhmja – “Kohët e fundit, dua të them muajin e fundit, mendoj se duhej më shumë respekt për trajnerin, lojtarët. Unë e kuptoj që janë prekur, sepse ndeshjet e fundit nuk kemi bërë mirë. Pakënaqësitë janë shfaqur edhe në shtyp, por nuk e meritojmë këtë trajtim. Ka shumë gjërat që duhet t’i bëjmë ndryshe”.
Respekt dhe besim – “Në pjesën e fundit të sezonit nuk e kam ndjerë besimin e klubit. Nuk kemi folur për të ardhmen time dhe e kuptoj se ka dyshime për rezultatet. Unë e kuptoj që duhet të bëhen ndryshime për të fituar. Ndoshta duhen lojtarë të tjerë, por duhet të komunikosh”.
Dëmshpërblim – “Nuk kam pse të përgjigjem paraprakisht. Ne jemi të rritur dhe e duam shumë këtë klub. Presidenti vendos drejtimin në çdo mënyrë. Unë nuk e di se çfarë mund të them. Do të flas me presidentin. Ju më njihni mirë dhe e dini që e dua shumë këtë klub. Nëse presidenti mendon se nuk jam personi i duhur, do të flasim për këtë. Do të jap mendimet e mia. Derisa të flas me presidentin, nuk mund t’iu përgjigjem këtyre pyetjeve”.
Bilanci i sezonit – “Unë besoj se në gusht do të kishim nënshkruar për një sezon të tillë. Ne kemi luftuar për La Liga-n deri para dy ose tri ndeshjeve. Problemi ka qenë, mbi të gjitha, se në vitin 2021, për shkak të mënyrës sesi luajmë, fitimit të Kupës së Mbretit, kemi dhënë më shumë shpresë. Ka pasur lojëra në të cilat nuk ishim në nivelin e duhur. Unë mendoj se, në përgjithësi, me problemet që kishim, nuk është sezon i keq. As nuk është shumë i mirë. Është një sezon deri diku i mirë, duke ditur rrethanat që kishim kundër”.
Lojtarët që pushojnë – “Janë tre ose katër lojtarë që kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme. Unë nuk dua të them se të tjerët nuk e kanë bërë këtë , por tre kanë pasur shumë ngarkesë: Messi, Pedri dhe De Jong. Shpresoj që Pedri të shkojë në Europian. Do të ishte e rëndësishme për të që ta bëjë këtë, të fitojë përvojë. Leo ka Kupën e Amerikës dhe duhet ta mbroj atë. Kam folur me të tre. De Jong u pezullua ndeshjen e kaluar, prandaj nuk mund të luajë nesër”.
Planifikimi i sezonit tjetër – “Kam folur me Planes dhe Alemany për sezonin e ardhshëm. Është puna ime dhe do të doja ta bëja atë. E bëj nga dashuria për këtë klub dhe punën time”.
Situata e Messit – “Shpresoj që Leo të vazhdojë këtu për shumë vite. Ai edhe një herë ka treguar se është unik; 30 gola dhe loja për ekipin. Për mua, si person dhe profesionist, meriton notën 10. Nëse nuk do të vazhdojë këtu, duhet të stërvitim lojtarë të tjerë dhe të kërkojmë efektivitetin e ekipit, sepse do të na mungojnë 30 gola. Me Messin, Barça ka një të ardhme shumë më të mirë se sa pa të”.