Nga Skënder Minxhozi

Lulzim Basha është sot rrufepritësja e vetme zyrtare e humbjes së zhurmshme të 25 prillit për opozitën shqiptare. Rreth tij dhe të ardhmes së tij politike po ndërtohet sot e gjithë trajektorja e reflektimit dhe korrigjimit politik që opozita parashikon të bëjë brenda vetes. Dhe kur ky proces kryhet kaq i ngushtë dhe i kufizuar, por njëherësh edhe kaq fiktiv e formal sa ç’parashihet të ndodhë – gjithçka banalizohet dhe humbet vlerën reale që duhet të ketë.

Opozita nuk humbi vetëm zgjedhjet e radhës në 25 prill. Ajo humbi de facto të gjithë vlerën e investimit tetëvjeçar në projektin e formatimit dhe ndërtimit të një epoke post-Berisha brenda të djathtës shqiptare. Ashtu si në rastet kur e mbërthen keq këmishën nga kopsa e parë, mënyra hipokrite sesi nisi ai proces tetë vite të shkuara, po kushtëzon edhe vijimin e ngjarjeve që kanë rrjedhur pas tij. Këmisha e mbërthyer keq të tregon shëmtuar para pasqyrës! Dhe ç’është më e sikletshmja, duhet kopsitur edhe një herë nga e para!

Fokusimi i debatit politik rreth fatit të Lulzim Bashës është një akt zvogëlues dhe minimizues i një krize që është shumë më e gjerë brenda Partisë Demokratike në radhë të parë, e të gjithë opozitës, në një plan më të gjerë. Teksa në PD luftohet me pambuk dhe fishekë manovre për zyrën e kryetarit, në LSI nuk pipëtin askush. Papritur partia “king maker”, formula magjike 15 vjeçare e Ilir Metës për polin e tretë në politikën shqiptare, po hesht si të ishte një formacion politik nga ata që s’u njihet as adresa dhe as numri i telefonit. Ka humbur plot 15 deputetë krahasuar me zgjedhjet e shkuara, megjithëse edhe në 25 prill, natën e zgjedhjeve, njoftonte se kishte fituar dhjetra të tillë!

Me një lehtësi dhe naivitet të shtirur ekstrem, humbja e 25 prillit jo vetëm që po i faturohet e gjitha vjedhjes dhe blerjes së votave nga qeveria, por jashtë saj po lihen qëllimshëm të gjithë komponentet reale që prodhuan krizën e prillit brenda opozitës së sotme.

Nuk po flet askush për rolin e Presidentit brenda fushatës opozitare, me pulsimet e tij cerebrale krejt të paparashikuara, shpërthimet, akuzat publike, varavingot nëpër teatrin e zgjedhjeve si një polici votimesh e dalë jashtë kontrollit. Sa vota i ka kushtuar përçartja disajavore e Ilir Metës, fushatës buzëqeshëse të Lulzim Bashës?! Sa vota socialiste ka lëvizur “me dhunë” drejt kutive të votimit, gjuha e skajshme e Presidentit që trembte edhe votuesin e majtë më flegmatik e të mërzitur?!

Nuk po rreket asnjeri të parashtrojë më tej një premisë sado simbolike për të analizuar marrëdhëniet mes PD e LSI para dhe gjatë zgjedhjeve, mungesën e koordinimit dhe me keq akoma, konkurencën e egër për vota në shumë qarqe. Dikush mund të thotë se është herët që kjo të kryhet, pasi kemi nëpër këmbë kontestimet e rezultatit nëpër gjykatat elektorale. Kësaj logjike mjafton t’i kundërvesh realitetin cinik të mbylljes de facto të zgjedhjeve, pas urimeve zyrtare që vendet perëndimore i dërguan fitimtarëve pak ditë pas 25 prillit.

Kontestimet nuk do e përmbysin dot rezultatin final. Me fjalë të tjera humbja është definitive dhe pakthyeshme. Çka e bën të mundur dhe urgjent nisjen e një procesi reflektimi serioz, por jo të një farse partiake për të rikonfirmuar kryetarin e rrëzuar katër herë rresht.

Dhe pjesë e një analize serioze për gjendjen e lidershipit të PD-së së sotme s’ka si të mos jetë dualizmi faktik Basha-Berisha, në të cilin është detyruar të veprojë kryetari i partisë që nga dita 1 e marrjes së detyrës. Të gjithë, edhe ata që e shpërfillin këtë argument sa për sy e faqe, e dinë që në asnjë moment të karrierës së tij në krye të PD, Lulzim Basha nuk ka vepruar jashtë një konteksti të caktuar që ka kushtëzuar sjelljen, vendimet dhe qëndrimet e tij gjatë viteve. Dhe elementi bazë i këtij konteksti ka qenë dhe mbetet mentori historik i zotit Basha, ish-kryetari Berisha.

Nuk është e tepërt të thuhet sot se PD nuk ka një, por dy probleme lidershipi për të zgjidhur. Ka në duar fatin e kryetarit aktual, por ka edhe mundësinë të ndërpresë më në fund ciklin e pambyllur të vitit 2013, që la hapur shtegun që më pas prodhoi një lidership anemik tetëvjeçar, të pavendosur dhe me kokën pas. Një parti që ende thërret shesheve “Poshtë komunizmi” në vitin 2021, dëshmon se jeton akoma me nostalgjinë absurde ndaj personit që duhej të kishte hapur krahun prej shumë vitesh. por që nuk iku kurrë prej vërteti nga istikami i tij në pullazin e partisë.

Bashkë me analizën e rezultatin përmbledhës të të gjitha partive opozitare (përfshirë krerët aleatë që morën 500 vota në zgjedhje), mungesën e frymës dhe të bashkëpunimit me partitë e djathta që garuan veçmas, lista bëhet e gjatë dhe këto elemente të humbjes dalin shumë përtej emrit dhe personit të Lulzim Bashës. Kurrsesi kjo nuk është një shpërndarje e fajit dhe përgjegjësisë për humbjen elektorale, por vetëm një vështrim i zgjeruar dhe realist i asaj që ndodhi ditën kur demokratët kujtuan se e kishin çuar në shtëpi Edi Ramën. Me gojën e kryetarit, jo me atë që kutitë kishin brenda.

Basha duhet të largohet sepse e ka ezauruar ciklin e vet në krye të partisë. E pati mundësinë të drejtonte drejt pushtetit dhe vetëm humbi. Por ky kamuflazh rrezikon të lerë të paprekura shumë aspekte të tjera madhore të një krize që nuk lindi në 25 prill dhe as do të zgjidhet së afërmi.