Në 72 orët e fundit në spitali COVID 2 ka mbërritur vetëm një urgjencë nga rrethet, e ndërsa numri i të shtruarve është reduktuar në 25. Burime nga ky spital pohojnë se sanatoriumi po shkon drejt mbylljes si spital COVID. Pacientët me covid 19 janë grupuar në dy pavione të katit të tretë ndërsa pavionet e tjera të boshatisura po deziinfektohen. Burimet pohojnë se në reanimacionin i covid 2 po punon me gjysmë kapaciteti, ku nga 10 shtretër 5 janë me pacient në gjendje tepër të rëndë, njëri prej tyre i intubuar.
Por ulja e shtrimeve në sanatorium nuk po ndikon aspak në uljen e vdekshmërisë në mesin e personave të shtruar ku në 24 orët e fundit mësohet se kanë humbur jetën 2 pacientë. Mjekë të spitalit pohojnë jashtë kameras se vdekshmëria e lartë është pasojë e keqëmjekimit fillestar të pacientëve në banesë si dhe e kohe qëndrimit të gjatë në shtëpi dhe më pas në spitalet bashkiake dhe rajonale derisa rastet referohen në spitalet terciare 3 javë pas infektimit kur komplikacionet në mushkri ndodhen në fazën terminale.
E ndërsa spitali i Sanatorimit vijon të mbajë statusin covid 2 për vetëm 25 të shtruar, nga 250 shtretër që ka ky spital, me mijëra të sëmurë kronik që vuajnë nga patologji të shumta në mushkri kanë një vit që kanë mbetur pa një spital të dedikuar dhe I falen rreth 30 shtretërve të huazuar në ish godinën e vjetër të kirurgjisë në QSUT ku shërben një nga tre klinikat pneumologjike të transferuara nga sanatoriumi. Nga ana tjetër spitali i parë covid, infektivi, numëron rreth 20 të shtruar nga 120 shtretër kapaciteti, dhe mesatarisht 3 urgjenca ditore nga rrethet e jugut dhe kryeqyteti.