Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela u ka kërkuar nga Durrësi prokurorëve që hetimi për krimet zgjedhore të jetë i shpejtë dhe transparent.
Në një prononcim për mediet Çela ka inkurajuar të gjitha prokuroritë e rretheve gjyqësore në vend që të hetojnë rastet në transparencë të plotë dhe rezultatet t’i transmetohen publikut.
“Në lidhje me hetimin e krimeve zgjedhore është kërkuar nga prokuroritë të ketë përgjigje të shpejta në drejtim të këtyre proceseve. E rëndësishme është që hetimet të shoqërohen në proces transparent, që publiku të jetë i qartë e të ketë informacion të plotë në atë ç’ka bërë Prokuroria. Çështja e zgjedhjeve është çështje që prek shumë prokurori të rretheve gjyqësore e kanë impakt në të gjithë vendin, ndaj rezultati i çdo hetimi është i rëndësishëm”, tha ai.
Çela tha se “rëndësi ka që hetimet të jenë të plota, të kryhen në kohën e duhur e rezultatet t’i përcillen publikut. Ne jemi drejtuar disa herë prokurorive të rretheve gjyqësore, i është ofruar mbështetja për të kryer hetimet e plota dhe profesionale që lidhen me zgjedhjet”.