Nëse EMA nuk miraton vaksinat ruse dhe kineze dhe aplikon kushtin e vaksinimit për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së, do të ketë marrëveshje ndërqeveritare për të favorizuar lëvizjen e udhëtarëve.
Kështu u shpreh në “Ditari”, zëvendësministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini përmes një lidhjeje me Skype. Ajo theksoi se nuk do të ketë asnjë kusht për hyrjen në territorin shqiptar.
“Nga EMA janë duke u vlerësuar të dy vaksinat, kërkon një proces të detajuar dhe kërkon kohë dhe ky proces përshpejtohet në kuadër të pandemisë. Pa u miratuar nga BE nuk është i zbatueshëm, por nëse ndodh prioritet do te jenë vetëm ata që janë vaksinuar me Pfizer dhe AstraZeneca.
Askush nuk do të donte të ndërpriste udhëtimet. Nuk mundet të vendoset një kufizim i tillë, nëse BE do jetë e dakordësuar për aplikimin e këtij kushti, do të ketë marrëveshje ndërqeveritare për të favorizuar procesin e lëvizjes së udhëtarëve. Shqipëria nuk ka asnjë kufizim për hyrjen e udhëtarëve dhe nuk do ketë kushte për hyrjen në territorin shqiptar”, tha ajo.
Sa i takon rritjes së rasteve të reja me koronavirus në vendin tonë, Tomini shprehet se kjo ishte e pritshme për shkak të fushatës elektorale, ndërsa shtoi se lehtësimi apo ashpërsimi i masave varet nga situata:
“Është e pritshme rritja e rasteve në javën e 2-3 të majit për shkak të fushatës, virusi është prezente transmetueshmëria është e ulët kemi raste asimptomatike.
Kemi tendencë në rritje dhe situata po vlerësohet në mënyrë dinamike. Në varësi të situatës dinamike vijojmë me lehtësimin apo ashpërsimin e masave”.
Lidhur me procesin e vaksinimit, Tomini theksoi se është arritur të kryhen 20 mijë aplikime në ditë, duke përshpejtuar procesin, ndërkohë që deri më tani është 19% e popullatës e imunizuar.
Sipas saj sistemi i vaksinimit, aplikimit dhe imunizimit është në nivel shumë të fortë sa i përket logjistikës dhe infrastrukturës:
“Kemi përkrahje të popullatës përkundrejt aplikimit. Mbi 19 mijë aplikime sot. Kemi kaluar mbi 550 mijë aplikime që nga janari. Dhe në ditë të caktuar kemi ulje të frekuentimit të qendrave masive dhe ulje të nivelit të aplikimeve. Kemi shkuar në 20 mijë aplikime në ditë.
Por duhet të falënderoj popullatën për procesin e imunizimit masiv që nuk është i lehtë. Sistemi i vaksinimit, aplikimit dhe imunizimit e ka treguar që është në nivel shumë të fortë sa i përket logjistikës dhe infrastrukturës.
Jemi në nivelin e 19 % të popullatës së imunizuar aktualisht, gati 100 individë kanë bërë kalendarin e plotë të imunizimit. Kemi kaluar edhe imunizimin aktiv nëpërmjet sëmundjes, që kanë kaluar mbi 130 mijë individë”.
Për ata persona që kanë 3 muaj që kaluar Covid rekomandohet të mos kryhet vaksina, theksoi Tomini.