Javën tjetër, sapo të përfundojë finalja e Champions-it, do të dimë të gjitha çmimet e UEFA-s brenda këtij edicioni të garës më të madhe kontinentale. Lojtarët që janë brenda 11-shes ideale, si dhe golat më të mirë të turneut, që përfundon të shtunën e ardhshme, më 29 maj në Porto, në finalen mes Chelsea dhe Manchester City.
Siç ka mësuar gazeta SPORT, Leo Messi është zgjedhur në dy kategori, brenda garës maksimale kontinentale. Nga njëra anë, argjentinasi është ndër kandidatët sulmues për të qenë pjesë e top-formacionit të Ligës së Kampionëve. Gjithmonë po flasim për edicionin në përfundim e sipër.
Përveç kësaj, Leo Messi gjithashtu është favorit në seksionin e golave më të mirë të sezonit. Ai përfaqësohet me golin e shënuar më 10 mars në “Parc des Princes’, kundër PSG, në ndeshjen e kthimit kundër ekipit francez, ku rezultati ishte i pamjaftueshëm, pas humbjes në “Camp Nou”, me shifrat 1-4. Një predhë nga mbi 30 metra largësi prej portës pariziene, teksa topi përfundon në trekëndëshin e Keylor Navas. Një perlë e vërtetë…