Lëvizja Socialiste për Integrim ka ankimuar në Kolegjin Zgjedhor rrëzimin e kërkesës për të shpallur të pa pavlefshëm rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit në qarkun Vlorë nga Komisioni për Ankimim dhe Sanksione.

Këtë veprim, LSI ka bërë edhe në rastin e vendimit për qarkun Gjirokastër ku gjithashtu KAS rrëzoi pretendimin e saj. Në të dy këto qarqe, në zgjedhjet e fundit parlamentare, LSI nuk arriti që të siguronte asnjë mandat.

Ndërkohë KAS ka pranuar kërkesën e LSI-së për të marrë informacione se në sa qendra të votimit nuk funksionuan pajisjet e identifikimit elektronik ditën e zgjedhjeve në Vlorë. Ankimime në KAS për Vlorën dhe Gjirokastrën ka depozituar edhe Partia Demokratike si dhe një kandidat i pavarur.

Dy partitë e mëdha të opozitës kanë kërkuar shpalljen e rezultatit të pavlefshëm dhe rivotimin në qarkun Vlorë me pretendimin se gjatë fushatës së zgjedhjeve qeveria shfrytëzoi administratën, burimet dhe shërbimet shtetërore duke i kushtëzuar ato në këmbim të votës.

LSI dhe PD kanë kërkuar pavlefshmëri të rezultatit të 25 prillit për 9 qarqe nga 12 gjithsej në të gjithë vendin. Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë do të jetë hallka e fundit ku mund të ankimohet rezultati. Në përfundim të këtij procesi, do t’i hapet rruga shpalljes së rezultatit përfundimtar nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pasi deri tani rezultati është vetëm paraprak.