Një titull që është pritur për 11 vite. Interi më në fund mund të festojë dhe shijojë suksesin, pas një sezoni kilometrik dhe lodhjeje në fushë. Një titull që, pa ia hequr asnjë protagonist tjetër ekipit zikaltër, mban logon e çiftit ëndërr sulmues: Romelu Lukaku dhe Lautaro Martinez.
Për vite me radhë (dhe ndoshta kurrë me këto përmasa dhe karakteristika) Interi nuk mund të mburrej se kishte një çift sulmues të një kalibri dhe harmonie të tillë (gjithashtu sepse në vitet e fundit, para Antonio Conte, Interi nuk ka luajtur kurrë me dy sulmues). Një përzierje e teknikës, garës, talentit, emocioneve dhe shpirtit ekipor. Por, le të fillojmë me numrat stratosferikë të dy lojtarëve.
Romelu Lukaku ka luajtur 33 ndeshje në Serie A këtë sezon, që do të thotë se humbi vetëm një ndeshje, atë kundër Parmës, me një dëmtim të kërcellit të këmbës. Nga këto 33 sfida, ai ka luajtur 30 nga fillimi, duke u inkuadruar në tri të tjerët, ndërsa ishin në zhvillim. Shifrat flasin për një sulmues thjesht “total”. Kjo do të thotë se përveç shënimit të një morie golash, 21 në këtë Serie A, belgu ishte gjithashtu protagonist i shkëlqyeshëm në zonën e asistimit, duke dhënë 10 pasime goli për shokët e tij të skuadrës. Sulmuesi i parë dhe finalizues, fizikisht i papërballueshëm. Pjesa më e madhe e titullit zikaltër i përket Romelu Lukaku.
Por, as Lautaro Martinez nuk mbeti pas. Argjentinasi ishte edhe më i qëndrueshëm se Lukaku, kurrë nuk kishte një problem fizik dhe luajti të 34 ndeshjet e këtij kampionati. Gjithashtu, pati një kontribut të madh si për golat, edhe asistet: 15 gola dhe 5 pasime fituese për shokët e tij të skuadrës. Ai mori pjesë, pra, në 20 gola për ekipin e Antonio Conte.
Ne kemi renditur numrat dhe statistikat individuale të këtyre dy lojtarëve, sepse ishte e drejtë ta fillojmë nga këtu për të marrë një ide të kontributit të tyre në titullin e Interit. Por, në realitet, forca e vërtetë e ekipit zikaltër ishte çifti i formuar nga të dy, ndjenja, modelet dhe dëshira për të luajtur së bashku, që u formua midis Lukaku dhe Lautaro Martinez. Ata gjithmonë kanë luajtur për njëri-tjetrin dhe gjithnjë duke ruajtur një nivel shumë të lartë sakrifice për ekipin.