Pedja Mijatovic, ish lojtari i Real Madridit, nuk beson se Eden Hazard do t’i rifitojë aftësitë që kishte te Chelsea për shumë sezone.
Ai startoi në sfidën me Chelsean në Champions League ditë më parë vetëm sepse Zinedine Zidane shpresoi dhe besoi se emri do të bëjë diçka në fushë, por në La Liga po vazhdon të jetë rezervist – thjesht nuk është në ditët e tij më të mira.
Ai hyri në pjesën e dytë edhe në fitoren e Realit 4-1 kundër Granadës, sfidë në të cilën Eden nuk bëri pothuajse asgjë.
Mijatovic, që ia fitoi Realit Ligën e Kampionëve në vitin 1998 duke shënuar golin e vetëm në finale kundër Juventusit, nuk beson se do ta shohim edhe njëherë Edenin e vjetër.
“Më vjen keq për Hazardin. Hyri në lojë dhe nuk bëri asgjë në veçanti. Nuk e di nëse ai do të jetë në gjendje të rifitojë aftësinë e tij, unë nuk jam shumë optimist. Më trishton: të gjithë e dimë se si ishte ai kur luante në Chelsea”, tha Mijatovic.
Eden ka bërë vetëm 45 paraqitje për dy sezone në Madrid dhe ka shënuar vetëm 5 gola.