Më 12 qershor 1991, Partia e Punës së Shqipërisë organizoi Kongresin e fundit të saj, i cili pati një moment dramatik. Shkrimtari ynë i shquar Driteroi Agolli, doli në tribunë përballë një salle fanatikësh të trembur që po iknin nga pushteti dhe u tha se jeta e tyre ka qenë një keqkuptim dhe se Enver Hoxha ka bërë krime. Ne që e mbajmë mend reagimin e sallës, e kemi të qartë që atë mund ta bënte vetëm Dritero Agolli. Ishin gati ta shqyenin. Ai nuk u mërzit shumë. E vazhdoi deri në fund fjalimin, mes të sharave e pështymave, dhe shkoi i qetë në vendin e tij në kafenenë e Pallatit të Kongreseve.
Dy ditë më pas, kur Partia e Punës së Shqipërisë kishte një emër të ri dhe ekip të ri profesorësh, shumica e të cilëve pa asnjë lidhje me komunizmin, Dritero Agolli ishte njeriu më popullor i tyre dhe mbeti deri në fund të jetës, njeriu me autoritet moral më të lartë dhe më të fortë mbi atë parti, përfshi dhe mbi enveristët që e gjuanin me këpucë.
Partia Demokratike sot është në këtë pikë halli, por s’ka asnjë autoritet moral.
Të gjithë flasin sikur kanë arra në gojë, pasi kanë frikë Sali Berishën. Asnjë personalitet i PD nuk është distancuar prej tij. Natyrisht në PD nuk ka ndonjë personalitet si Dritero Agolli, që të jetë dhe me PD, dhe shkrimtar. I ngjashëm nga detyrat, por jo i njëjtë nga përmasat, është Besnik Mustafaj, i cili ka qenë dhe ministër i Jashtëm i PD. Ai është aq larg asaj që ka bërë Agolli më 1991, sa e ka kaluar këtë problem nga një gjë tragjike për PD dhe Berishën, në një gjë komike, pasi paska deklaruar në Korçë që “nuk flet dot për këtë çështje, se është në Gjykatë”.
Në fakt, çështja nuk është në gjykatë dhe as ka për të qenë në ndonjë gjykatë, por është në Departamentin e Shtetit dhe është dosja e zezë që do mbajë peng ndryshimin e PD, nëse ajo parti e lidh fatin me Sali Berishën. Kështu që PD nuk e ka fuqinë dhe energjinë që gjeti Partia e Punës më 1991 për të ndryshuar duke u distancuar nga Enveri i saj, dhe arsyeja është se ka një shkretëtirë personalitesh të keqpërdorur nga Sali Berisha, që as guxojnë t’u thonë të vërtetën demokratëve, por u bëjnë iso gënjeshtrave të tij.
E them këtë, pasi dëgjova rivalin kryesor për postin e kryetarit të PD, Agron Shehaj, i cili së paku është një hap më paërpara. Ai tha nuk bëj koment, por jo për shkak të asaj broçkullës së Gjykatës në Francë, por për shkak të etikës së garës. Ai ishte një sinjal se ai nuk ka ndërmend të bëjë betejë për të mbrojtur Sali Berishën nga SHBA. Duke mos pranuar të bëjë koment për vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Shehaj ka hedhur hapin e parë të distancimit nga Berisha, hap, i cili është shumë larg betejës ndaj Berishizmit, që ka nevojë ajo parti.
Ky është fakti që bën diferencën e tij me Bashën.Tiparet e tjera që ai tha për Bashën si një lider humbës dhe i korruptuar janë retorikë politike. Ne ende nuk dimë nëse Shehaj është një fitues dhe nëse nuk do të korruptohet nga pushteti. Por ne dimë që Shehaj nuk ka ndërmend të mbrojë Berishën. Kjo tregon se ka shenja pavarësie ndaj tij, më shumë se çdokush deri tani. Për ta parë më gjerë këtë histori, do të na duhet dhe qëndrimi i tri kandidatëve të tjerë për këtë çështje.
Lulzim Basha ka refuzuar ftesën e ambasadores së SHBA për të dalë krah saj në stërvitjen ushtarake amerikane në Tiranë, çka lexohet si solidaritet me Berishën kundër SHBA. Kadilli ka dhënë sinjale se është gati të distancohet nga Berisha, ndërsa Harxhi ka hyrë në garë, për t’i treguar Berishës se e ka gabim që ai është me Bashën dhe jo me atë që e do më shumë.
Pas disa muajsh, kur të shikojnë që nuk ka gjyq që e mbron Berishën, por mund të ketë gjyqe që mund ta dënojnë, gara do të jetë kush ka thënë ndonjë llaf kundër Berishës këtë javë. Do ta kenë të vështirë të gjejnë diçka për të qenë, për t’u dukur sikur kanë qenë kundër tij me kohë. E vetmja shpresë, është të bëhen qesharakë, e të thonë nuk flisnim dot se ndikonim tek vendimi i Gjykatës në Francë.