Lionel Messi mund të ketë luajtur ndeshjen e tij të fundit për Barcelona, pasi u konfirmua se ai do ta humbasë ballafaqimin e së dielës me Eibar. Skuadra nga “Camp Nou” do ta përfundojë sezonin me një udhëtim në Eibar, por nuk ka shumë për të luajtur, pasi doli jashtë garës për titull me humbjen 2-1 ndaj Celta Vigo, javën e kaluar. Kapitenit i është dhënë leja nga Ronald Koeman që të pushojë, ndaj nuk do të angazhohet në ndeshjen e fundjavës.

“Argjentinasi Leo Messi nuk është stërvitur të premten me lejen e trajnerit dhe nuk do të jetë në skuadër për ndeshjen kundër Eibar, të shtunën, – konfirmoi klubi katalanas. – Sulmuesi mund të shijojë një pushim përpara ‘Copa America’ të muajit tjetër, pas një sezoni ku ka qenë një nga lojtarët që ka luajtur më shumë”.

Kontrata e yllit argjentinas me klubin katalanas skadon në fund të sezonit. Megjithëse njoftoi vitin e kaluar se dëshironte të largohej falas, Barça mbetet me shpresë për ta bindur atë të qëndrojë. Shoku i tij i skuadrës, Jordi Alba, e ka nxitur kapitenin të mos largohet nga “Camp Nou”. Manchester City është shpallur si një nga kandidatët kryesorë për të nënshkruar me të për shkak të fuqisë financiare dhe pranisë së ish-trajnerit të Barcelonës, Pep Guardiola.

PSG, gjithashtu thuhet se është në garë, pasi shpresojnë ta ribashkojnë atë me shokun e vjetër të skuadrës, Neymar. Ndërsa Barça mund ta përfundojë e treta në La Liga dhe kualifikohet direkt në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve. Sezonin aktual ka fituar vetëm Kupën e Mbretit, në prill.