Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se shërbimi i kontrollit teknik të mjeteve do të transformohet për të arritur aty ku duhet dhe që qytetarët presin.

Ministrja Balluku theksoi se janë marrë të gjitha masat për të siguruar një shërbim cilësor dhe në kushte optimale.

“Nga sot rinisëm punën me Kontrollin Teknik të automjeteve duke marrë të gjitha masat për të siguruar një shërbim cilësor dhe në kushte optimale. Ky është vetëm fillimi i transformimit që do të sjellim në këtë sektor, për të arritur aty ku duhet dhe që qytetarët presin”, tha Balluku.

Pa një ndërprerje prej 5 muajsh ka rinisur sot kontrolli teknik i mjeteve. Kategoritë e para që do të marrin këtë shërbim, që tashmë do të ofrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit, janë mjetet e transportit ndërkombëtar të mallrave e udhëtarëve si dhe mjetet që nuk kanë kryer asnjëherë kolaudimin, për të vijuar gradualisht me pjesën tjetër të mjeteve.

Me ndryshimet e reja të Kodit Rrugor afati i vlefshmërisë së kolaudimit zgjatet për të gjitha mjetet. Tashmë, mjetet e përdorura do ta kryejnë kontrollin teknik çdo 2 vjet, për mjetet e reja me 0 km kontrolli teknik nuk do të kryhet në tre vitet e para, ndërsa taksitë, ambulancat e mjetet e transportit do ta kryejnë atë çdo vit, nga 6 muaj që ishte deri më tani.

Prej janarit të këtij viti shërbimi i kontrollit teknik i kaloi shtetit pas përfundimit të kontratës koncesionare me kompaninë SGS Albania.