Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi gjatë një vizite në fabrikën e përpunimit të qumështit “Erzeni”, në Berat, u njoh dhe pa nga afër zhvillimin teknologjik, që kanë arritur kompanitë shqiptare, që operojnë në industrinë ushqimore.
“Si një ndër kompanitë e para të përpunimit të qumështit në vend, “Erzeni” i ofron konsumatorit një gamë të gjerë produktesh cilësore”, tha Ekonomi.
Gjatë bashkëbisedimit me sipërmarrësin e kësaj fabrike, Ekonomi mësoi se, vizitorë të ndryshëm dhe ekspertë të bujqësisë që e kanë vizituar këtë kompani, kanë parë nga afër investimin sipas standardeve më të mira që realizuar këtu dhe punën e kualifikuar të stafit që ndjek me përgjegjësi çdo hap të punës, deri në prodhimin përfundimtar.
Ekonomi vlerësoi shkallën e lartë të industrializimit në këtë fabrikë, që ka nisur hapat e para të prodhimit me punë manuale, ndërsa sot proceset e prodhimit kalojnë përmes makinerive të teknologjisë së lartë.
Përveç prodhimeve të bulmetit, kjo fabrikë ka investuar edhe në prodhimin e shisheve të plastikës, ose ambalazheve, duke siguruar ciklin e mbyllur të prodhimit sipas standardeve më të mira.
“Kemi marrë modelet e fabrikave në Holandë dhe Itali. Tek ne qumështi vjen nga fermeri dhe nuk preket nga punëtorët, që të mos kontaminohet dhe kalon përmes linjave të përpunimit deri në produkt final që shkon tek konsumatori”- tha përfaqësuesi i fabrikës.
Ai shpjegoi se, lëndën e parë, qumështit ua mbledhin të gjithë fermerëve të zonës që kanë mbi 5 lopë. Qumështin e marrim në qendrat e grumbullimit, pasi u kryejmë analizat për sigurinë ushqimore, me qëllim që të nxjerrim në treg produkt të garantuar.
Krahas 30 produkteve që prodhon kjo fabrikë, kosi i frutave pa sheqer është prodhimi më i ri që konkurron me standardet europiane.