Ka dy lloj opozitarësh në Shqipëri; ata që e kanë pranuar humbjen në zgjedhje dhe ata që nuk duan ta pranojnë atë. Brenda tyre ka shumë nëndarje, por e përbashkëta e të gjithëve mbetet një: Askush prej tyre nuk ka dashur që më 25 prill, të fitonte PS dhe Edi Rama!
Ata që nuk duan ta pranojnë humbjen, janë përgjithësisht kategoria e opozitarëve që nuk duan ta pranojnë se nuk duan ta pranojnë atë, por jo se kanë arsye! Këtu futen përgjithësisht kategoritë e militantëve, interesaxhinjve gjithfarësh dhe opozitarëve të vërtetë gjysëm idealistë e gjysëm naivë, që nuk pajtohen asesi me fatin.
Më e komplikuar është situata në grupin e atyre që e pranojnë humbjen, por që japin shpjegime nga më të hatashmet për shkaqet që i çuan në të. Ka qe e pranojnë, sepse janë një kategori njerëzish racionalë e me logjikë të ftohtë. Ka nga ata që i njohin dobësitë e opozitës dhe superioritetin e fituesve. Sikundër ka shumë që sa mezi e kishin pritur tu ndodhte, sepse janë hatërmbetur, ngaqë besojnë se u është ngrënë haku dhe nuk iu dha mundësia e merituar këtë radhë.
Më interesantët janë ata që ngatërrojnë me vetëdije, dy gjëra të pangatërrueshme: Demokracinë si shprehje e vullnetit të shumicës, me diktaturën e pakicës! Ata janë idhtarët e diktatit me dhunë të dëshirave të pakicës, mbi shumicën. Po a është e mundur kjo, në një demokraci pluraliste? Sigurisht që jo. Ky nuk është një sistem i përsosur,- thoshte Winston Çurchill, por sistem më të mirë se ky, nuk ka.
Në demokraci pushteti meret pasi ke siguruar votën e shumicës, duke përshkuar rrugën që dikton sistemi pluralist, e në fund të gjithë janë të detyruar ti nënshtrohen pa kushte vullnetit të sovranit. Por ata thonë se PS nuk mundet dot me votë. E duke mos dashur që arsyet për këtë, ti gjejnë brenda radhëve të opozitës dhe lidershipit të saj, i kërkojnë ato tek Edi Rama!
Askush nuk ka thënë që sistemi demokratik në Shqipëri është i përsosur. Por vetëm nëse nuk do që të shohësh, mund të thuash se ai qenka sot, më i keq se në 1992. Më i keq se në 1997. Më i keq se në 2005. E akoma edhe më i keq se në 2013, kur janë zhvilluar zgjedhjet e përgjithëshme parlamentare, që kanë sjellë rrotacionin normal e me votë të pushtetit, nga duart e mazhorancave tek ato të opozitave.
Askush nuk ta beson sot kur thua se Edi Rama qenka më i keq se lideri komunist Ramiz Alia kur e lëshoi pushtetin me votë. Më i keq se Sali Berisha i “vitit të mbrapshtë” kur e lëshoi pushtetin me votë. Më i keq se Fatos Nano që e lëshoi pushtetin me votë. E më i keq se Sali Berisha i 8 viteve më parë që i kishte të gjitha fijet në dorë, përshi edhe Bujar Nishanin dora vetë President dhe e lëshoi pushtetin me votë.
Ndaj alibitë e “regjimit”, e “diktaturës”, e “autokracisë”, e “putinizmit”, e gjithfarë “izm”-ash të tjerë, jo vetëm që bien por janë aq të dobëta e banale sa askush nuk i pranon, përveç atyre që po e jetojnë opozitarizmin e tyre në një botë tjetër, paralele me tonën.
PS e fitoi mandatin e tretë qeverisës si kurrë më parë në këto tri dekada, përveç avantazheve e meritave të veta, edhe për një arsye tjetër. Opozita vetë e ndihmoi këtë radhë, që të merte një rezultat historik, sepse dëgjoi partizanët e rrugës së antisistemit. Dëgjoi ata që e duan pushtetin, përmes molotovëve dhe jo votave. Dëgjoi ata që në pluralizëm, e kërkojnë pushtetin me dhunë, sipas ideologjisë moniste!
Sali Berisha, Lulzim Basha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi u ndëshkuan, sepse shqiptarët kanë aq kulturë demokratike sot, sa ta ndëshkojnë me votë modelin e rrugës së rrugës. Modelin e revolucionit të dhunshëm. Modelin e diegies së mandateve. Modelin e bojkotit. Duke refuzuar konkurencën e ekipeve, përmes ofertave politike dhe elektorale, përballë votës së qytetarëve.
Ata po e kritikojnë Lulzim Bashën sot, jo se humbi pasi përqafoi një model antidemokratik. Ata po e kritikojnë sot kanditatin e opozitës për Kryeministër, sepse pranoi që të hynte në zgjedhje pa e rrëzuar më parë me dhunë Edi Ramën dhe qeverinë e tij legjitime, të zgjedhur me votën e qytetarëve më 2017.
Ata harrojnë se shqiptarët kanë zgjedhur 30 vjet më parë, të përqafojnë sistemin demokratik, duke rrëzuar antisistemin që e mbante pushtetin pa zgjedhje të lira. Përpjekja për ta imituar sot këtë model në pluralizëm, ishte një foshnje që lindi e vdekur, ndaj nuk mund të merte jetë me vota në 25 prill.