Nga Adriatik Doçi/ Këshilli i Lartë Gjyqësor në 7 maj 2021 ka vendosur mbarimin e statusit të magjistratit për gjyqtaren e Tiranës, Dhurata Balla, e njohur si vjehrra e biznesmenit të naftës Rezart Taçi. Gjyqtarja Balla ka dhënë dorëheqje në një kohë kur Komisioni i Vetingut e kërkonte që të paraqitej në seancë dëgjimore, për ta njohur me rezultatet e hetimit ndaj saj. Procesi i verifikimit për gjyqtaren kishte nisur që në fund të vitit 2019. Fillimisht Komisioni i Vetingut caktoi datën 14 prill 2021, për zhvillimin e seancës dëgjimore, por gjyqtarja nuk u paraqit. Përfaqësuesi i saj ligjor kërkoi shtyrjen e seancës për një datë tjetër për të pasur kohë për t’u njohur me materialet e dosjes së rivlerësimit.

Komisioni i Vetingut caktoi datën 23 prill, afat të cilin gjyqtarja e përdori për të dhënë dorëheqjen. Karriera e Dhurata Ballës në gjyqësor ka vijuar nga Kruja në Tiranë. Në dhjetor të vitit 2013, në një kohë kur dhëndri i saj Taçi dhe familja e tij akuzoheshin për evazion fiskal, ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë nën kontrollin e Sali Berishës, e promovonte gjyqtaren duke e transferuar nga gjykata e Krujës në atë të Tiranës. Vendimi i ish-KLD-së prodhoi debate të forta, pasi Ministria e Drejtësisë kërkonte që vendet vakante në Tiranë të plotësoheshin me gjyqtarë të rinj.

Ndërkaq, në periudhën kur Ministria e Drejtësisë, drejtohej nga ish-ministri Ilir Rusmali, është hartua një raport për 10 gjyqtarë, të konstatuar me shkelje, pasi lironin nga burgu të dënuarit që shtereshin sikur ishin sëmurë. Mes emrave të gjyqtarëve ishte edhe Dhurata Balla, e cila në raport cilësohet se kishte abuzuar me dy raste. Dy të dënuarit, pas lirimit me motivacion të problemeve në shëndet, jo vetëm që nuk ishin shtruar në spital, por ishin larguar menjëherë jashtë shtetit. Raporti u dorëzua në KLD, por KLD-ja jo vetëm që nuk mori asnjë masë, por më vonë e solli gjyqtaren nga Kruja në Tiranë.

Sa i takon pasurisë, nga viti 2003, gjyqtarja ka deklaruar sipërfaqe trualli 650 m2, 54 000 m2, 4 555 m2, 3 550 m2, 750 m2 dhe ullishte 20 rrënjë, trashëguar nga babai. Gjithashtu ka deklaruar tokë bujqësore me sipërfaqe 257 500 m2, trashëguar gjithashtu nga babai. Ka deklaruar apartament 102 m2, 7.3 mijë USD gjendje, makinë Benz 9.7 mijë euro dhe apartament banimi te Malin e Robit 104 m2, me vlerë 72 800 euro. Për të blerë apartamentin tek Mali i Robit thotë se ka marrë 50 mijë euro kredi dhe për të plotësuar pjesën tjetër, thotë se ka shitur një pjesë të pronave.. Gjyqtarja Balla ka deklaruar edhe një marrëveshje për ndërtimin e një pallati mbi një sipërfaqe 650 m2, ku do të përftonte 25 për qind të sipërfaqes, por më vonë marrëveshje është anuluar më pas.