Gerard Piqué u rishfaq në rrjetet sociale për të “thumbuar” ndeshjen Real Madrid-Sevilla 2-2. Qendërmbrojtësi i Barcelonës iu përgjigj një “tweet” të ‘Movistar +’, ku Zidane shfaqej duke i kërkuar shpjegime gjyqtarit Martínez Munuera në lidhje me penalltinë që ai akordoi në minutën e 78-të në favor të Sevilla, por jo katër minuta më pare për të tijtë, me pretendimin se prekja e topit me dorë ishte e njëjtë, precedenti i ngjashëm.
“Duke biseduar, njerëzit e kuptojnë njëri-tjetrin”, – shkroi me ironi Pique, duke nënkuptuar se gjyqtarët dhe Real Madridi kanë qenë në të njëjtën “llogore” thuajse përherë.
Barcelona është ankuar shpesh për gjykimin, edhe përmes prononcimeve publike të Pique, ndërsa të bardhët nuk janë ndier shumë në këtë drejtim, sepse kanë pasur thuajse zero raste të diskutueshme kundër. Imagjinoni, pas 5 vitesh është ankuar për gjykimin trajneri Zidane. Ndodhi mbrëmë, pas Real Madrid-Sevilla 2-2…