Nëse Lulzim Basha nuk do të kishte hequr me një të rënë të lapsit mesnatën e fundit të depozitimit të kandidaturave për deputet këtu e katër vjet më parë një pjesë të historisë së PD-së, por edhe ata që u bënë pjesë e saj njësoj si ai në vitin 2005, sot në Partinë Demokratike do të kishim mundësi të bënim një analize të qartë dhe të mendonim qoftë edhe njëherë se në këtë parti mund të shihej një garë reale dhe e drejtë për kreun e partisë pas humbjes së radhës…

…Ndryshe nga katër vjet me parë kur përballë Lulzim Bashës, në garën për kryetar, ishte Eduard Selami, i cili përveç të tjerave, nuk bëri as përpjekjen më të vogël për t’iu futur garës seriozisht (gjë që reflektoi edhe në rezultat votash), kësaj here ngjan sikur situata është ndryshe.

Fillimisht kandidat zyrtar u shfaq Fatbardh Kadilli. Për shumëkënd në PD, Kadilli është parë si njeri i katapultuar nga vetë Lulzim Basha, ka qenë sekretar i PD-së, është anëtar i kryesisë së Partisë dhe zëri i tij u dëgjua më së shumti kur PD-ja humbi zgjedhjet.

Kadilli që nuk kishte mbështetjen e duhur nga demokratët e Pogradecit u nda i qejf mbetur me Lulzim Bashën teksa priste nga ky i fundit ta caktonte pikërisht kandidat për deputet në atë zonë.

Kadilli heshti dhe nuk u pa aktiv as gjatë fushatës edhe pse ai pretendoi të kundërtën.

Për zërat mosbesues dhe dyshues për gjithçka në PD, Kadilli ende përflitet se ka një fije të lidhur me Lulzim Bashën edhe pse ai i ka kërkuar bashkëpunëtorit të tij dorëheqjen e parevokueshme.

Me gjithë protagonizmin e ditëve te fundit të Kadillit, ai nuk është parë ende si një kandidaturë e fortë publike përballë Bashës, ndoshta edhe për shkak të profilit jo aktiv që ai ka mbajtur në PD.

Situata ndërkohë po shihej me sy tjetër tek ajo që po lindte nga grupimi “Për PD-në” me përfshirjen e Bujar Nishanit në lojë që aktualisht është edhe kryetar i Këshillit Kombëtar.

Nishani foli qartë gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit Kombëtar kur përcaktoi piketat e humbjes së PD-së dhe mbi te gjitha kur tha se vjedhja e votës ishte vetëm gjysma e të vërtetës dhe se PD-ja duhet të fokusohej edhe tek ajo gjysma tjetër për zbardhjen e së cilës

Nishani kërkoi dorëheqjen e parevokueshme të Lulzim Bashës dhe reformim të partisë.

Më rolin e ngritur të tij, ndryshe nga sa pritej, Bujar Nishani nuk mori përsipër garën për të konkurruar brenda partisë.

Ai ia dorëzoi stafetën Edith Harxhit një figurë e përgatitur dhe e servirur në publik gjithnjë për mendimin e saj mbi politikat e rajonit dhe ato globale.

Harxhi ka qenë prej vitesh zv-ministre e Jashtme gjatë qeverisë “Berisha” dhe ekspertiza e saj në këtë fushë nuk ka qenë e vogël. Ajo njihet edhe për lidhjet e saj të afërta me familjen “Berisha”

Por deri këtu. Në angazhimin e saj partiak, Harxhi ka qëndruar gjithnjë në distancë.

Ajo nuk është anëtare e kryesisë dhe e Këshillit Kombëtar. Megjithatë, duket se garën ajo e ka marrë seriozisht duke i parashtruar kërkesa konkrete komisionit zgjedhor të ngritur nga Lulzim Basha.

Harxhi nuk ka një mbështetje të gjere në struktura, ajo njihet pak në këtë drejtim dhe sfida për kryetarin mund të shikohet si prova e parë e saj për tu përfshire zyrtarisht në strukturat e partisë.

Kalojmë tek Agron Shehaj. Votat për të u panë si surprizë në zgjedhjet e 25 Prillit, por jo për ata që e njohin nga afër figurën e tij të cilët thonë se pikën e tij më të fortë, Shehaj ka kontaktin me njerëzit.

Kjo u vërtetua edhe gjatë fushatës, ku Agron Shehaj sponsorizoi njëkohësisht edhe për një mbështetje të gjerë mediatike.

Ai vjen nga bota e biznesit, shpërfaqet si njëri i paqtë, jo konfliktual që ka kontribuar në nisma konkrete bamirësie, është gjithashtu donator i përhershëm i shoqatës Down Syndrome Albania, si dhe bashkëthemelues i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo”.

Duke i mveshur angazhimin sa më sipër, nëse Agron Shehaj do të garonte për herë të parë, i frymëzuar edhe nga profili i biznesmenit të suksesshëm që udhëhiqet nga motoja se “nuk i është futur politikës për tu pasuruar” atëherë do të ndaleshim pak.

Por Agron Shehaj nuk është futur sot në PD. Ai është kthyer nga Italia që në vitin 2005 dhe iu bashkua PD-së vetëm në vitin 2017 duke garuar në Vlorë krejt papritur me propozim direkt të Lulzim Bashës.

Shehaj dështoi në garën e parë në qytetin ku lindi dhe ku jetoi deri 13 vjeç, por fitoi në atë të dytën duke u vendosur në njësinë 5 dhe 7 në Tiranë, që ndryshon jo pak nga elektorati i Vlorës.

Pika e tij e fortë ishte profili që ai serviri në publik dhe kontakti me qytetarët.

Megjithatë, Agron Shehaj, në katër vite angazhimi në parti, nuk krijoi dot një identikit të fortë politik, nuk qe aktiv në nismat kryesore të PD-së apo edhe ato denoncuese, (përveç protagonizmit në dosjen e Unazës së e Re, por kryesisht në debate televizive) dhe nuk e ngriti diskurin politik të PD në një tjetër nivel.

Ai është parë gjithnjë si “njeri” i Bashës që nuk i qaset frymës berishiste.

Qysh prej zgjedhjeve të 25 Prillit, Shehaj ka vetëm dy postime për PD-në. Në të parën ku ai falënderonte demokratët e Tiranës dhe këdo që e kishte votuar dhe në postimin e dytë se i ishte futur garës për kryetarin e partisë.

Postimet e tjera pas zgjedhjeve i ka vetëm për dy festat fetare që kaluam; atë Ortodokse dhe festën e Fiter Bajramit.

Agron Shehaj nuk ka parashtruar edhe ndonjë kërkesë konkrete pranë komisionit zgjedhor për t’i siguruar vetes një gare ‘fair” ndryshe nga Edith Harxhi dhe më pas edhe nga Fatbardh Kadilli.

Postimi i tij i fundit i futjes në garën për kryetar nuk i drejtohej as direkt me emër Lulzim Bashës… Por vërente ndër radhë,”se shërimi nga humbja duhet të vijë nga veprimi dhe përparimi përmes ndryshimit dhe jo ripërsëritjes së të njëjtave gabime”.

…Për secilin prej kandidatëve sa më sipër (që kaluan formalisht edhe nga kryesia e PD-së) nuk mund të thuash se nuk kanë kapacitet intelektual, por “po” asnjëri prej tyre nuk ka krijuar profil të fortë partiak, iu mungon verbi identifikues politik dhe autoriteti brenda strukturave.

Dhe kjo nuk është pak për një garë brenda partisë.

Ata nuk njihen për protagonizëm të theksuar në struktura dhe nuk kanë pasur as agresivitetin për t’iu imponuar anëtarësisë siç ka vërtetuar ndonjë emër tjetër në PD

Ndaj dhe për këdo që mund të duket se gara me Lulzim Bashën do të jetë serioze duhen parë dy anë të saj; Nëse nisemi nga e shkuara dhe profilet që ka gjeneruar kjo parti, gara është e vakët.

Nëse nisemi nga nevojat e ditës, ekzigjenca e kohës dhe figurat që kanë mbetur në PD, atëherë mund të duket se kjo është një garë serioze. Por vetëm për të rritur profilin e Bashës në këtë kohë jo të favorshme për të. Dhe ambicien e ndonjë kandidati për tu bërë pjesë e lidershipit. Vetëm Kaq. (gazetaSI)