Nëse do të duhej të gjenim një pikë të përbashkët mes katër kandidatëve në garën për Kreun e PD më 13 qershor, ajo është mungesa e guximit të tyre për të shkuar nesër tek “atvrasja” politike e Sali Berishës. Lulzim Basha kishte 8 vjet për ta bërë, por as nuk kishte dhe duket se as nuk ka këllqe që ta bëjë. Madje, e ka mbrojtur këtë akt, duke e shpjeguar tek libri “Misioni im”!
Në kushtet kur edhe SHBA e ka shpallur Sali Berishën “non grata”, u duk sikur tre sfidantët e Lulzim Bashës në këtë garë Fatbardh Kadilli, Edith Harxhi dhe Agron Shehaj, do ta kishin shumë më të thjeshtë që ta bënin.
E para, sepse duke kërkuar largimin e Sali Berishës nga PD, për tu mbrojtur individualisht përballë akuzave nga Departamenti Amerikan i Shtetit, secili prej kandidatëve të tjerë në garë do bënin diferencën e thellë me Lulzim Bashën. Do dtë diferencoheshin qartë dhe dukshëm, nga Kryetari i PD që bashkë me Sali Berishën, i kanë çuar në humbjen e pesë palë zgjedhjeve të fundit rresht duke i mbajtur 12 vjet në opozitë.
E dyta, përmesa distancimit të qartë dhe të prerë nga Sali Berisha, ata do ia dilnin që të mernin mbështetjen e të gjithë demokratëve që në luftë mes Sali Berishës dhe SHBA, janë me aleatin më të madh strategjik të shqiptarëve.
E treta, pozicionimi në të kundërt me Sali Berishën e Lulzim Bashën do i identifikonte kandidatët e tjerë si e ardhmja dhe jo si e shkuara e PD. Duke luftuar kundër atyre që drejtojnë njëri “de facto” e tjetri “de jure” partinë, ata do ta poziciononin edhe Lulzim Bashën si e shkuara, që nuk shkëputet nga mëkatet e paraardhësit të tij.
E katërta, ky ishte edhe momenti që ata të tregonin “skeletet e tyre në dollap”, që nuk i lë të shkëputen nga njëri tjetri, duke u bërë vëllezër siamezë në politikë.
E pesta, duke mos u ndarë dot qartë dhe prerë nga Sali Berisha dhe duke mos u distancuar bashkë me të edhe nga Lulzim Basha, tre kandidatët e tjerë nuk do ia dalin që të ngjizin profilet e tyre si alternative reale për të ardhmen e lidershipit të ri të PD.
Herët ose vonë PD do të shkëputet nga Sali Berisha, duke qenë edhe këtë radhë e rreshtuar në anën e duhur të historisë, përkrah SHBA dhe BE. Por kur ajo ditë të vijë, as Agron Shehaj, as Edith Harxhi dhe as Fatbardh Kadilli nuk do të jenë më aty. Sepse do i ketë marë përpara rrota e historisë, e cila nuk ndalet dot nga askush.
Nëse dikush nuk ka guxim që ta bëjë këtë sot, për shkak se është peng i Sali Berishës apo i historisë së tij personale në politikë, nuk do ia dalë dot kurrë nesër që të kapi trenin e historisë që është nisur tashmë për në destinacionin e ri./Alpenews