Nga Armand Kullau
Pse protestojnë gratë?
Elbasani është kërthiza kulturore e Shqipërisë, vatra e përhershme e revoltës qytetare dhe këtë e vërtetojnë protestat që janë bërë kundra padrejtësive të ndryshme që kanë ndodhur në këtë qytet. Ditën e djeshme në rrugët e qytetit marshonte pjesa më e rëndësishme e shoqërisë shqiptare, gratë dhe vajzat. Ajo protestë për ata që shohin të ardhmen është garancia se Shqipëria do të ndryshojë dhe ndryshimi do vijë nga baza e piramidës shoqërore, nga shtresa më e nëpërkëmbur dhe më e duruar, nga gratë të cilat i kanë dhënë jetë njerëzimit njerëzor.
Por pse protestojnë gratë ?
Gratë protestojnë sepse shumica e tyre mbajnë një çantë të “rëndë” me vete e cila u lehtëson shpirtin e ngarkuar nga vështirësitë që paraqet fakti i të qënit grua. Në këtë çantë ato mbajnë përgjegjësinë familjare, mbajnë fëmijët, mbajnë burrin problematik, fshehin diskriminimin në ambientin e punës, fshehin faktin që paguhen shumë pak e vazhdojnë të paguhen pa siguracione. Gratë kanë karakter dhe guxim por roli i nënës i kthen në qënie njerëzore vetmohuese sepse ato i qendrojnë besnike laitmotivit “uniteti mbi çdo gjë në familje”. Edhe sikur një nënë të ketë kurajon për t’u divorcuar, ajo ndodhet përballë rrezikut për të humbur fëmijët nga proçedurat e divorcit dhe ngushëllohet me praninë e fëmijëve pranë gjirit të familjes. Kjo është një sakrificë të cilën ne burrat shqiptar e harrojmë dhe në vend ta analizojmë e të frymëzohemi, ne e shohim si një detyrë të grave kur në fakt fëmijët janë përgjegjësi e të dyve dhe punët e shtëpisë nuk janë çështje të rëndomta për t’u diskutuar, ato janë detyra të cilat çifti i ndan bashkë për t’i dhënë oksigjen martesës që tashmë ka edhe fëmijët si përgjegjësi më vete.
Gratë protestojnë sepse viti 2021 në Shqipëri po përsërit fenomenin e vrasjes së grave dhe asnjëra prej viktimave që është vrarë këtë vit nuk arriti të merrte ndihmë nga institucionet shtetërore për të shpëtuar nga dora e gjakatarit. Shteti ynë duhet të ndërgjegjësohet për sa i përket kodit penal dhe ta rishikojë çështjen nën dritën e një perspektive të re.
Në çdo kohë dhe nga çdo kryeministër duhet të ketë një program për të drejtat e grave dhe ka ardhur koha që kjo qeveri ta marrë përsipër problemin duke zgjidhur ngërçin në fushën e drejtësisë dhe duke i nxitur gratë që të emancipohen për të marrë atë që iu takon, të drejtën për të qënë grua e jo skllave të përjetshme të burrave. Gratë protestojnë sepse megjithëse media raporton lajmet e vrasjeve, ajo është e “ftohtë” në këtë çështje.
Pse themi e “ftohtë”?
Problemi më i madh që ndodh por që të gjithë e anashkalojmë është se ne kemi një komunikim maskilist të theksuar në Shqipëri i cili jo vetëm që reflektohet në shkollë, në universitete, në punë dhe në rrugë por maskilizmi shfaqet drejtpërdrejt nga studiot televizive në transmetim direkte. Politikane të të dyja partive politike më të mëdha në vend apo specialiste të komunikimit kanë qënë pre e sulmeve verbale nga analistë mediatikë dhe politikanë që bëjnë moral për kornizat e jetës personale të këtyre grave në një kohë që Shqipëria aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.
Faji nuk është vetëm i dhunuesve verbal por edhe i atyre që në studio televizive heshtin, heshtja e moderatorit dhe e moderatores, heshtja e të ftuarve dhe mbi të gjitha është konsumimi i lajmit të dhunës verbale ndaj tyre si një lajm sherrnaje politike kur thellë në ndërgjegjien njerëzore mbartet një e vërtetë që gratë në studio e reflektojnë dhe burrat e fshehin në çdo mënyrë, ne i druhemi një gruaje inteligjente të pavarur dhe të suksesshme sepse ajo nuk i dorëzohet autoritetit dhe arrogancës burrërore por i përgjigjet gjenialitetit të tij me admirimin dhe gjenialitetin e saj duke na treguar se emancipimi i figurës femërore shihet si pengesë ndaj pushtetit të një elite maskiliste.
Gratë protestojnë sepse janë pjesa më guximtare e shoqërisë shqiptare dhe gratë të cilat protestuan dje dhe kanë protestuar gjithmonë në Shqipëri ndajnë të njëjtat mendime që një grua guximtare si Diane Von Furstenberg ka shprehur ”Nuk kam takuar asnjëherë një femër që nuk është e fortë, por ndonjëherë ato nuk dinë ta tregojnë forcën që kanë. Duhet një tragjedi që një femër të shfaqë forcën e saj. Mesazhi im është që ta shfaqni forcën para tragjedisë.” Apeli i protestës është i qartë dhe kumbues për tërë Shqipërinë. Reflektoni dhe veproni sepse dikush ka nevojë për ndihmën tuaj.