Mario Draghi heq dorë nga rroga e tij si kryeministër. Këtë e bën të ditur agjencia e lajmeve Reuters duke u bazuar në dokumente zyrtare.
Draghi është në krye të qeverisë italiane që prej shkurtit dhe premton se do të nxjerrë vendin nga kriza me anë të një plani gjigand rindërtimi.
Ky vendim nuk duhet të jetë e vështirë për 73-vjeçarin pasi ai ka lënë pas një karrierë të sukseshme. Ai ka punuar ndër të tjera për bankën e investimeve Goldman Sachs, ka qenë shefi i Bankës Qendrore Italiane dhe president i Bankës Qendrore Evropiane.
Nga punët e tij të mëparshme ai përfiton disa pensione. Sipas dokumenteve tatimore të ardhurat e tij bruto ishin rreth 583.000 euro në vitin 2019. Ai ka gjithashtu dhjetë prona të patundshme, të plota ose pjesërisht, ndër to dhe një shtëpi në Londër.
Draghi nuk përmendi asnjë arsye për këtë vendim. Massmiliano Panarari, një ekspert për komunikim politik në universitetin italian online Unimercatorum , supozon se bëhet fjalë për një gjest politik. Sipas tij, Draghi dëshiron të tregojë solidaritet ndaj popullit italian, që gjendet në një recesion të rëndë.
Ai u shpreh, se mund të shihej gjithashtu si një gjest populist, dhe tha se do të kishte qenë më mirë që Draghi të jepte një shpjegim. Të njëjtën gjë kishin bërë më parë disa pjesëtar të lëvizjes populiste 5 Yje, që të dukeshin më afër me popullin./Spiegel