Nga Mero Baze

Fati e deshi që Lulzim Basha të mos shpëtonte dot prej Sali Berishës. Edhe pse nxitoi ta afrojë sa më shumë datën e garës brenda Partisë Demokratike, nuk ja doli dot.

Partia Demokratike prej dy ditësh, gjendet para sfidës për të hapur një faqe të re të historisë së saj, apo për të shkuar në gropë, pas liderit të saj historik.

Lulzim Basha nuk është më ngjarje në Partinë Demokratike. Nuk është më as frymëzues, as garant i fitores, as garant i Berishës dhe mbi të gjitha as një identitet politik.

Ai është një histori e lidhur me Sali Berishën. Madje ai është i pafajshëm dhe për humbjet, pasi njerëzit kanë parë, që ai thjeshtë ka qenë një ushtar i Sali Berishës dhe nuk e kanë rehabilituar atë kurrë pas vitit 2013.

Në këtë aspekt, 13 qershori, që ka shpallur Lulzim Basha për garën brenda PD, përveçse është shumë datë e nxituar, nga frika mos e kapte ‘orteku’ Berisha, tani është dhe një datë që nuk ka më kuptim, pasi Berisha është vetëshpallur kryetar “de facto” i PD, duke i faturuar madje gjithë të djathtës shqiptare ndëshkimin që atij i ka dhënë SHBA. Kështu që gara duhet të bëhet me Berishën.

Lajm në PD tani është rivali i Lulzim Bashës. Nuk ka rëndësi emri i tij, por identikiti i tij. Emrin mund ta ketë Fatbardh, Agron apo Edit, por mund të jenë të tre fatzinj, nëse imitojnë Lulzim Bashën, se kush e do më shumë Sali Berishën.

Ai që hyn si alternativë në garën për kreun e Partisë Demokratike e ka betejën me Sali Berishën, jo me Lulzim Bashën. Ai duhet të shpallë rrezik për PD-në, Sali Berishën dhe ta injorojë Lulzim Bashën si kandidat.

Çdokush që e bën këtë, merr peshë si kandidat, pasi i jep PD dritën në fund të tunelit, duke i treguar se e ardhmja e saj, nuk ka lidhje me errësirën ku e ka futur Sali Berisha.

Nëse kjo nuk ndodh, këto zgjedhje do të jenë fiktive, pasi do të konkurrojnë mbështetës të Berishës për postin e të deleguarit të Berishës në PD. Këtë më mirë nga të gjithë e bën Lulzim Basha.

Nëse një kandidat nuk del qartë me kërkesën për të përjashtuar Sali Berishën nga Grupi Parlamentar, dhe për të shpëtuar PD nga anti-amerikanizmi Berisha-Meta, që tashmë është një koalicion publik, ai është i njëjtë me Lulzim Bashën dhe PD nuk ka pse e zgjedh.

E di që Lulzim Basha mezi pret ta bëjë dikush i pari këtë hap, se kështu mund të sigurojë mandatin brenda PD. Por një kandidat i zgjuar bën pikërisht këtë. Ai që do të arrijë ta bëjë njësh Lulzim Bashën me Sali Berishën dhe t’i hipotekojë si mbetje të së shkuarës në PD, ai do të marrë PD-në në të ardhmen.

Nuk jam i sigurt nëse një kandidat i tillë për 20 ditë e merr PD, por jam i sigurt se PD ka për t’iu lutur këtij kandidati, brenda vitit që të rikthehet, kur të shikojë që kandidati luajal i Berishës, do izolojë PD, dhe do ta kthejë në një formacion si Hamasi, që do ta godasin të gjithë.

Tani është vetëm java e parë e betejës kundër Berishës dhe ai ka pranuar gati se dhe betejën që shpiku me avokatin francez e ka të humbur. E vërteta është se ai nuk ka shpresuar të fitojë ndonjë gjyq, por ka marrë një avokat të shquar të negociojë azilin politik në Francë, në rast se këtu i hapet padi penale.

Por PD do të përballet me sfida të tjera të berishëve. E bija ka mbyllur gjyqin e transaksioneve të saj me Fazlliçin, me arsyetimin se janë vonuar letrat që duhet të vinin nga Qipro, në një histori të dyshuar si pastrim parash me Damir Fazlliçin, ndërsa i biri ka mbyllur me imunitetin e Mediut, gjykimin për rolin e tij në Gërdec. Kështu që PD tani e tutje, ka për të marrë vetëm lajme të këqija nga Berishët e Metët, dhe nëse e lidh fatin e saj me ta, do shkojë bashkë me ta.

Një kandidat që del sot kundër këtij rrënimi, është i vetmi që mund të ngjallë shpresë tek PD për një të ardhme të re.

Shikoj që shumë vetë janë gëzuar pse ka kandiduar Agron Shehaj. Ndoshta ngaqë nuk vjen nga një histori e lidhur me Berishën në PD. Ndoshta ngaqë nuk e njeh dhe fare Berishën për fat të mirë të tij. Por nëse edhe ai nuk e kthen këtë betejë si garë me Berishën për dëmin që Berisha i sjell PD, Shehaj do t’i ngjajë Bashës dhe do mundet prej tij.

Mes njërit që e shet partinë për vila, e tjetrit që mund të shesë vilat për të blerë partinë, nuk ka ndonjë diferencë. Të dy tregtarë janë. Diferencën e bën kush bën betejë me Berishën.