Po vijon me intensitet dhe pa u ndalur puna, për ndërtimin e rrugës Kardhiq–Delvinë, 16 km e gjatë në jug të vendit, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore, me impakt pozitiv në ekonominë dhe turizmin e vendit. Deputeti i PS-së për qarkun e Vlorës, Alket Hysenaj ka publikuar pamje filmike nga ky aks rrugor, duke u ndalur në pamjen e tunelit të Skërficës, ku tashmë është kryer pjesa më e vështirë e punës.

“Përveç dy segmenteve që të çojnë tek tuneli, është përfunduar shpimi i gjysmës së tij, 400 metra nga krahu i Delvinës dhe 200 metra nga drejtimi i Kardhiqit”- shprehet Hyseni, teksa shtron pyetjen retorike, “Si thoni, do kalojmë këtë vit apo jo?”. Ky aks është cilësuar një nga rrugët më prioritare ekonomike-turistike të vendit, që shkurton me 3 orë kohë nga Tirana në Sarandë, duke i dhënë një hov të mëtejshëm zhvillimit multidimensional të zonës dhe vendit.