Sergio Ramos ka qenë i pafat këtë periudhë. Shumë dëmtime dhe pak aktivizim, teksa plot mjegull është e mbushur e ardhmja e tij. Në fund të sezonit del lojtar i lirë, dëshira për të vijuar me Real Madrid ekziston, por nuk ka dakordësi mes palëve.
Presidenti Perez i ofron rinovimin me një vit, me opsionin për një tjetër, por 35-vjeçari kërkon dy vite të tjera për të firmosur. Negociatat janë ndërprerë prej kohësh, situatë prej së cilës po tenton të përfitojë PSG.
Kampionët e Francës e kërkojnë prej kohësh. Tani kanë vendosur të shpejtojnë për t’i dhuruar trajnerit Pochettino një emër të madh dhe një lider në repartin e mbrojtjes. Drejtori sportiv, Leonardo po tenton të shfrytëzojë raportet e mira me vëllanë e Ramos.
Oferta? Footmercato zbulon se PSG ka gati një ofertë “2+1” për kapitenin e Realit. Sigurisht edhe një bonus prej tetë shifrash në momentin që firmoset kontrata. Propozim shumë më i bukur dhe më tundues se i Realit. Në fund vendos lojtari andaluzian.