Kreu i Urgjencës, Skënder Brataj dhe sot lajmin e mirë se këtë verë mund të mos jemi të detyruar për të mbajtur maskën, të paktën për ambientet jashtë.
I ftuar në “Report TV”, Brataj tha se situata me COVID është drejt përmirësimit dhe se për këtë vlerëson se, sipas opinionit të tij, do të kemi një verë pa maska.
Ndërsa sezoni turistik po afrohet, Brataj tha se po vlerësohet lirimi i masave, duke u shprehur shpresëplotë se do kemi një sezon të qetë, sa i përket situatës me pandeminë.
“Predispozicioni është i mirë që do shkojmë drejt lirimit të masave, vera na ndihmon. Jemi drejt vlerësimit të lirimit të masave për një sezon turistik sa më të mirë. Nuk më shqetëson vera sepse situata do të jetë më e lehtë. Masat duhet të lirohen në mënyrë graduale që të mos ketë kthim mbrapa. Vetëm me indikatorët do të vlerësohet situata me pandeminë në Shqipëri. Negociatat për sigurimin e vaksinave nuk kanë përfunduar asnjëherë. 2 milion e 600 mijë vaksina janë të kontraktuara tashmë. Jemi në një pikë shumë të mirë, vaksinimi masiv do vijojë dhe në verë. Sezoni turistik do të jetë i qetë, do organizohemi me shtim të qendrave shëndetësore verore, do merren masat. Verë me vaksina, me masa, por mendoj pa maska, të paktën në ambientet jashtë. Siç është ecuria besoj pa maska”, tha ai.
Ai tha se situata me COVID në vend është në parametra të kënaqshme, por shtoi se situata do të monitorohet, pasi mund të ketë një rritje fiziologjike për shkak të fushatës elektorale.
“Situata është e kënaqshme për situatë e një pandemie, në bazë të indikatorëve. Por kujdesi nuk duhet ulur asnjëherë. Kemi një rritje të lehtë të numrit të personave që shtrohen në spitale. Duke parë që fushata vijoi deri më datë 26-27 me gjithë festimet, ato dy javët e famshme të përhapjes së virusit, ndoshta do të ketë një rritje fiziologjike dhe në bazë të asaj do merren dhe masat, Por duke parë që në këto dy javë pati një rënie të shifrave treguese, por duhen interpretuar me kujdes, sepse duhet parë që njerëzit ato shenjat e lehta i interpretojnë si gjendje gripale apo alergji të stinës dhe nuk kërkojnë më bërjen e tamponit, internohen për llojin e vaksinës. Duhet bërë një analizë tani sa i përket spitalit. Kohëzgjatja e pacientëve në spitale është më e shkurtër dhe simptomat janë më të lehta”, shtoi Brataj.
Mjeku u ndal edhe te situata me pandeminë në Indi, duke e konsideruar atë “katastrofë humanitari”, ndërsa shtoi se varianti indian i COVID po bëhet dominant. Megjithatë, Brataj u shpreh se ky variant nuk ka treguar ndonjë përkeqësim të mëtejshëm të agresivitetit të sëmundjes. Po ashtu ai theksoi se vaksinat janë efikase ndaj këtij varianti.
“Varianti indian nuk ka treguar ndonjë përkeqësim të mëtejshëm të virulencës e agresivitetit, por fakti që po përhapet, nuk tregon të dhëna akoma. Fakti që OBSH e konsideron sinjalizues, më shqetëson fakti i këtij mutacioni, por jo alarmues. Ky virus ka dy ndryshime në proteinën spaik dhe frika është se mos njëra forcon tjetër dhe mos anashkalon veprimin e vaksinës, gjë që nuk ka ndodhur. Vaksina e Pfizer është efikase. Dihet që një variant do të përhapet kudo dhe pë këtë masat nuk mund të lirohen, kemi marrë parasysh edhe këtë. Ne duam të vaksinohen sa më shumë njerëz, para se të na vijë ndonjë variant tjetër. Varianti indian ka dalë që në tetor të vitit të kaluar. Ky variant është bërë dominant. Në indi ajo që po ndodh është katastrofë humanitare”, theksoi kreu i urgjencës.