“Futbolli më dha gjithçka. Unë isha me fat që luajta me kampionë te Milani, ata janë njerëz të shkëlqyeshëm. Milani është një familje e madhe. Kur vjen një lojtar i ri aty, e trajtojnë si një nga të familjes. Unë, trajner i Milanit? E kam ëndërr, do të ishte më e mira”.
Kështu, Andriy Shevchenko, ish-sulmuesi i kuqezinjve, sot trajneri i kombëtares së Ukrainës, mysafir i Fabio Fazio në “Che tempo che fa” me rastin e botimit të autobiografisë së tij “Forza gentile – La mia vita, il mio calcio”, shkruar me Alessandro Alciato.
Kështu u shpreh ish-bomberi dhe “Topi i Artë” i vitit 2004 në lidhje me klubin kuqezi: “Unë doja të thoja se Milani nuk është thjesht një ekip, por një familje e madhe. Gjëja më e rëndësishme janë njerëzit që punojnë aty brenda”.
Lidhja e tij me kuqezinjtë është e thellë, e konfirmuar gjithashtu nga marrëdhënia me ndihmëstrajnerin e tij, një flamur historik i klubit, si Mauro Tassotti, për të cilin Shevchenko vlerësoi: “Ne kemi punuar bashkë prej 5 vitesh. I jam mirënjohës që pranoi të punojë me mua. Pa të, në hapat e parë, nuk do t’ia dilja. Tassotti më dha shumë si trajner. Ai është gjithmonë afër meje”.