Nga Artur Ajazi
Departamenti Amerikan i Shtetit, i ka ndaluar hyrjen në SHBA ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, duke sjellë turbullirë dhe reagime të shumta në politikën shqiptare. Shumë njerëz të profesioneve të ndryshme,janë përfshirë në komente e debate në rrjete sociale dhe media, duke reflektuar mbi një vendim i tillë, që perceptohet si një standard i ri që vendoset ndaj politikanëve të korruptuar dhe abuzues me pushtetin.Qeveritë e Sali Berishës konsiderohen si më të korruptuarat për ekonominë dhe mirëqenien e shqiptarëve, ndërkohë që ish-kryeministri ka marrë një ndëshkim moral që është plotësisht konformë demokracisë në SHBA. Dosja e Sali Berishës ndoshta shumë shpejt do të bëhet transparente pas vendimit të DASH, duke reflektuar për hapa të mëtejshëm nga organet e reja të drejtësisë në Shqipëri.
Ata që e kanë provuar dhe shijuar qeverisjen e Berishës dhe ish-ministrave të tij, e dinë se ç’bëhej në atë kohë. E dinë se si vidhej, abuzohej, mashtrohej dhe shtohej pasuria e familjes, miqve dhe suitës politike dhe më gjerë. Dhe kjo duke zhvatur miliona me tendera, pronat e shqiptarëve, dhe paratë e investimeve. Aq të mëdha dhe flagrante ishin zhvatjet dhe abuzimet në ish-qeverisjen e Sali Berishës, saqë, në rast se do të kishte patur me kohë drejtësi të pavarur, sot nuk do të kishte nevojë për FBI, CIA, DASH, apo SPAK. Por do të ishin arrestuar me kohë ish-kryeministrat, ish-ministrat, ish-drejtorët dhe familjarët hajdutë të cilët sot janë agallarët e Tiranë dhe gjithë Shqipërisë. Edhe pse Berisha ka 8 vjet që ka ikur nga pushteti, ata gëzojnë dhe shtojnë pronat dhe paratë. Por diçka tjetër mbetet “pikante” në historinë e Sali Berishës me DASH-in.
Shikoni kush e ka marrë në “mbrojtje” njeriun “non-grata”, shikoni se kush e mburr dhe lëvdon ish-kryeministrin, dhe do të bindeni se deri ku është katandisur. Analistë me bordero në SHQUP, ish-drejtues dhe ish-ministra, ish-zyrtarë të punësuar në organet delikate të shtetit të asaj kohe (që kanë bërë para me thasë) janë duke i bërë avokatin Sali Berishës. Dhe më qesharake, mbetet mënyra se si e trajtojnë dhe vlerësojnë. “Ai është më i ndershmi, më i pakorruptueshmi, ai është i pastër, ai është më i vlerësuari nga Shtëpia e Bardhë, ai do të fitojë gjyqin me Blinken”. Propogandë e vjetëruar kjo. Dhe këto idiotësi madje botohen edhe në media. Aq e trashë është mënyra se si e “mbrojnë” Doktorin, sa kushdo që të ishte në vendin e tij, do ta kishte për turp, të lejonte gjëra të tilla, që nuk i shkojnë për shtat një ish-kryeministri. Ata që sot gjoja e “mbrojnë” por edhe ata që janë strukur diku dhe hedhin statuse në fb, janë pikërisht ushtarët e Berishës. Janë njollaturpi i ish-qeverisjes së tij, janë rojet dhe menaxhuesit e pronave të familjes tij, rrogëtarët e përjetshëm që u duket, sikur po “shembet bota”, pse u shpall “non-grata” shefi i tyre.
Çfarë i është bërë këtij vendi dhe këtij populli në vitet e qeverisjes së Partisë Demokratike, do të duhen vite tu tregohen brezave që vijnë. Shkatërrim total, i gjithçkaje pozitive dhe të bukur që kishim, dhe ngritje e një dinastie bajraktarësh që nuk lanë gjë pa vjedhur dhe përvetësuar. Zoti vonon, por nuk harron-thonë. Dhe kjo ndodh gjithmonë në jetë. Atëhere kur ti mendon, se “tani i kam të gjitha”, bëhu gati sepse do të nisë shpagimi. Kushdo që ka “trashur zullumin” me postin dhe qeverisjen, kushdo që ka ardhur dikur me valixhe druri nga fshati, dhe sot nuk e di sa prona dhe miliona euro ka, ka ardhur momenti të shpjegohet, dhe jo mbrohet. Kjo gjë, tash e tutje, duhet të bëhet si diçka normale tek ne. Drejtësia e re mbetet një investim madhor i SHBA-ve, nga e cila shqiptarët duan të shohin veprime konkrete në terren. Dhe në fakt ka nisur të ndodhë tashmë nga “peshqit e mëdhenj”…