Pep Guardiola nuk arriti që ta thy ente Chelsean e Tuchel.

Pep Guardiola e ka humbur një mundësi të artë për ta fituar trofeun e tretë të Ligës së Kampionëve si trajner në “Do Dragao” të shtunën kundër Chelsea. Skuadra e Thomas Tuchel i mposhti bardheblutë e Manchesterit për herë të tretë në tri gara të ndryshme brenda vetëm një muaji për ta fituar trofeun e Ligës së Kampionëve. Prej që është emëruar trajneri më 2016 i Manchester City ai ka dominuar me tituj në futbollin anglez, duke fituar tri Premier Liga, katër Carabao Cup, një FA Cup dhe dy Community Shields. “Ne garuam jashtëzakonisht mirë”, tha Guardiola pas finales. “Është hera e parë që jemi këtu. Ne duhet të përgatitemi të kthehemi përsëri këtu”, transmeton deklaratën e tij Thomas Tuchel.

Katalunasi e puthi medaljen e humbësit për të demonstruar se edhe kjo është një arritje për Manchester City, të cilët ishin në finale të Ligës së Kampionëve. Pasi që në disa sezone ata u eliminuan që në çerekfinale të kësaj gare, bardheblutë arritën që ta eliminojnë Borussia Dortmundin dhe Paris Saint-Germain për të qenë në finale këtë vit. Megjithatë, në ndeshjen që vendos titullin ata nuk arritën që ta rikthejnë rezultatin dhe me meritë humbën me rezultat 1-0 nga Chelsea, të cilët shënuan në pjesën e parë me anë të Kai Havertz.

Manchester City bëhet njëri prej 20 klubeve që ka arritur në finale të Ligës së Kampionëve dhe nuk e ka fituar kurrë këtë trofe. Lista përbëhet prej tri herë humbësit në finale, Atletico Madrid, ashtu si Reims dhe Valencia të cilat arritën dy herë në finale por nuk e fituan atë. Është sezoni i pestë i Guardiolës në këtë klub, ku Manchester City ka shpenzuar 938 milionë euro për lojtarë të rinj, kurse ka shitur lojtarë në vlerë 315 milionë euro. Një investim neto prej 623 milionë euro që i solli 10 tituj Cityt, por ata, pavarësisht arritjes në finale, nuk e kanë fituar synimin e tyre kryesor, Ligën e Kampionëve.