Kompania Sinovac u jep licencën 5 vendeve për të prodhuar vaksinën e saj. Këtë e ka bërë të ditur vetë CEO i firmës kineze, Yin Wiedong në një intervistë për Bloomberg. Licencën për të prodhuar Coronavac e kanë marrë Brazili, Indonezia, Malajzia, Egjipti dhe Turqia.
Kjo u jep të drejtë këtyre vendeve që të prodhojnë dozat e vaksinës si dhe të mund t’i shpërndajnë ato në shtete të tjera. Sipas CEO të kompanisë në këto 5 vende janë imunizuar rreth 20% e popullsisë, ndërsa në provat klinike që janë bërë në këto shtete kjo vaksinë ka rezultuar me efektivitet të lartë.
Turqia është një nga shtetet që aktualisht po e aplikon vaksinën Coronavac për popullatën. Deri tani në vend kanë mbërritur 25 milionë doza ndërsa pritet të vijë këtë muaj edhe ngarkesa tjetër me vaksina. Përmes një distributori turk edhe Shqipëria siguroi vaksina të kompanisë kineze Sinovac. Autoritetet tona kanë siguruar në total 1 milionë doza nga kjo firmë.