Kreu i Partise Demokratike, Lulzim Basha, duke folur per reporteret pasi ka dale nga selia blu pas nje takimi me shefen e misionit te OSBE-ODIHR, Ursula Gacek per zgjedhjet parlamentare te 25 prillit./r/n/r/nDP Head, Lulzim Basha, speaks to reporters after coming out of the blue headquarters after a meeting with the OSCE-ODIHR Head of Mission, Ursula Gacek on the April 25th parliamentary elections.

Në Partinë Demokratike po zhvillohet një proces për zgjedhjen e kryetarit të partisë.

Interes shumë të lartë ka patur zbulimi i numrit të demokratëve që do të votojnë në këto zgjedhje. Kandidatët në garë, përveç Lulzim Bashës, kanë shprehur shqetësim lidhur me listat e anëtarësisë, të cilat nuk janë të disponueshme, madje ata nuk ishin në dijeni të numrit të anëtarëve që ka kjo parti.

Të tre kandidatët, Agron Shehaj, Edit Harxhi dhe Ftabardh Kadilli, kanë qenë të shqetësuar për mungesën e transparencës në këtë proces dhe faktit që listat zgjedhore nuk ishin publike.

Vetëm ditën e sotme, u bë e ditur nga Kryetari i Komisionit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana, se PD ka 75,067 anëtarë.

Por, sipas një krahasimi të Institutit të Studimeve Politike (ISP), kjo forcë politike ka një rënie drastike me rreth 28 mijë anëtarë që nga zgjedhjet e vitit 2017.

“I njëjti drejtues në zgjedhjet e brendshme partiake më 2017 pati deklaruar se PD kishte 103,952 në Regjistër, pra më shumë se 28 mijë anëtarë sesa deklarimi i tanishëm“, konstaton ISP.

Por, si ka mundësi që PD të reduktohet në anëtarësi, në kohën kur kjo parti ka pësuar rritje të konsiderueshme në këto zgjedhje? Si ka mundësi që nga kjo parti të avullojnë 28 mijë anëtarë për katër vjet, ndërkohë që Lulzim Basha bërtet çdo ditë që PD është rritur dhe se ka marrë një rezultat të mirë në zgjedhje “pavarësisht masakrës elektorale”.

Nëse do të ndjekim këtë linjë, pra se 28 mijë demokratë e kanë braktisur papritur partinë, akuzat për “masakër zgjedhore” kthehen në qesharaka, pasi me sa duket, sipas vetë shifrave të PD-së, kjo parti qenka braktisur edhe nga vetë anëtarët e saj…

Po në të njëjtën linjë, ISP, ka konstatuar se “kriza e vitit 1997-1999 i solli PD-së pothuajse 50% humbje të anëtarësisë, kurse gjatë 4 viteve të fundit anëtarësia ka rënë me rreth 28 mijë anëtarë“.

Pra, në kushtet kur vendi nuk ka patur asnjë krizë të ngjashme me atë të vitit 97′, kur opozita ishte përgatitur për të marrë pushtet, kur Lulzim Basha shëtiste në mbarë vendin si kryeministri i ardhshëm, papritur në PD avullojnë 28 mijë anëtarë.

Nuk dihet nëse kjo ka lidhje me procesin zgjedhor që po zhvillohet dhe me kuorumin që duhet arritur nga Lulzim Basha në këto zgjedhje. Megjithatë, ky eksod i demokratëve nga PD, duket mjaft i çuditshëm dhe ngre pikëpyetje të shumta.(tpz)