Mbi 7700 fermerë janë kualifikuar si përfitues të Skemës Kombëtare 2021 për masën e mbështetjes në blegtori ose mbi 4300 fermerë më shumë se vitin e kaluar, fitues të pagesës së drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit. Për masën “Tufa bazë e matrikulluar”, fermerët përfitojnë 1200 lekë/krerë, por jo më shumë se 360,000 lekë për subjekt, për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 70 krerë dele dhe/ose dhi, ndërsa për fermat me jo më pak se 5 krerë lopë, në vlerën 10,000 lekë/krerë, por jo më shumë se 500,000 lekë për subjekt.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi vizitoi sot një nga fermat blegtorale në vend e cila po rritet dita-ditës falë edhe mbështetjes së qeverisë përmes skemave kombëtare. “Te “Vëllezërit Kazazi”, në fermën e tyre blegtorale që është rritur dhe transformuar prej vitit 2007, kur ata nisën aktivitetin. Falë mbështetjes nga Skemat Kombëtare dhe programi IPARD, sot ata kanë rritur kapacitetet prodhuese dhe punësuar më tepër se 100 punëtorë”, tha ministrja.
Kompleksi ka sot 6 stalla dhe ka 350 krerë, ndërsa kapaciteti i fermës është për 850 krerë. Përfaqësuesi i kësaj ferme thotë se për mbarështimin e bagëtisë ndjek të gjitha protokollet shtetërore sa i përket vaksinimit dhe mjekimit. Për këtë, ai thotë se ka të punësuar një veteriner dhe një zooteknik.