PD ka nisur sot edhe zyrtarisht, fushatën për zgjedhjen e kreut të ri të saj. Ne garë janë zyrtarisht 4 kandidatë: Lulzim Basha, Fatbardh Kadilli, Edith Harxhi e Agron Shehaj. Pesë kandidatë të tjerë, nuk u pranuan nga Kryesia e PD, me arsyetimin se nuk janë të njohur për anëtarësinë.

Eleminimi që bëri më shumë zhurmë e që ra më shumë në sy, ishte ajo e Ibsen Elezit, një opozitar i zëshëm ndaj Lulzim Bashës dhe mënyrës së drejtimit prej tij të PD dhe opozitës. Qëndrimet e tij, të cilat 25 prilli i “çertifikoi” si të drejta, u cilësuan nga kupola blu si “qëndrime denigruese ndaj PD”. Pra, nëse ti kritikon me realizëm gjithçka nuk shkon mirë brenda partisë, sipas standardeve të demokracisë së brendshme të PD, kjo gjë tani quhet “denigrim”?!

Lulzim Basha nuk e ka dhënë dorëheqjen edhe pasi PD që ai drejton, për herë të parë në historinë e saj 30 vjeçare, do qëndrojë në opozitë për 12 vjet me radhë. Ai as nuk e dha dorëheqjen deri më 13 qershor dhe as nuk i ngriu funksionet e tij, në mënyrë që kandidatët në garë të ishin në një start të barabartë.

Lulzim Basha u mjaftua vetëm me mospjesëmarrjen e tij në mbledhjen e Kryesisë ku u caktuan kandidaturat dhe rregullat e garës, duke ia lënë drejtimin, njerëzve që janë zgjedhur prej tij në Kryesinë e PD. Në mungesë të komunikimit publik të Lulzim Bashës, vendimet e tyre, treguan se çfarë mendon ai për sfidantët dhe se çfarë do ai nga kjo garë.

Fatbardh Kadillit, i cili ka qenë i pari që e bëri publike kandidaturën për Kryetar të PD, nuk ia pranuan 5 kërkesat e bëra në funksion të procesit zgjedhor. Duke ia hedhur poshtë, edhe ftesën drejtuar Lulzim Bashës, për një debat publik televiziv mes kandidatëve.

Për kandidaturën e Edith Harxhit kishte 4 vota abstenim në Kryesinë e PD, me pretekstin se nuk dha kontribut në fushatën elektorale. Kushdo që e njeh sadopak mënyrën e fuksionimit të partive politike, e kupton se nëse të kanë lënë arbitrarisht jashtë listave dhe jashtë organizimit të punëve të fushatës, nuk ke asnjë mundësi për të dhënë kontribut të qenësishëm përveçse me votën tënde individuale.

Qëndrimi ndaj kandidaturës së Agron Shehajt është interesante që të lexohet me vëmendje, pasi pakkush e ka të qartë, nëse ai ka hyrë “me kokën e vet” në këtë garë apo i konsultuar më parë me Lulzim Bashën. Fakti që 6 anëtarë të Kryesisë së PD kanë abstenuar, dëshmon se kandidimi i tij, ka krijuar bezdi pasi ai doli deputeti më i votuar në Tiranë nga lista e PD. Motivacioni ka qenë i lidhur me individualizmin në fushatë, për të marë vota për vete e jo për partinë(?!) Shenjë e sigurtë se deri tani e kanë nënvlehtësuar dhe tani që shfaqi ambicje të mëdha, ka nisur lufta brenda llojit ndaj tij.

Fushata do të zgjasë 3 javë dhe veprimtaria mediatike e kandidatëve, do koordinohen nga zyra e shtypit e PD. Çka do të thotë se Lulzim Basha duke qenë se e kontrollon këtë zyrë, do kontrollojë gjithashtu, edhe performancën publike të sfidantëve të tij.

Të gjitha këto, janë njollat e errëta të garës. Njolla e zëze është fakti se listat e anëtarësisë së PD, që do kenë të drejtën për tu bërë pjesë e procesit sipas parimit “një anëtar një votë”, do shpallen 5 ditë para. Kjo pamundëson verifikimin e saktësisë së votuesve nga kandidatët, duke hedhur në erë procesin.

PD dhe Lulzim Basha nuk plotësojnë në këtë proces, as standardin minimal të zgjedhjeve të 25 prillit në Shqipëri, kur listat e votuesve janë bërë publike shumë muaj përpara dhe ishin online për këdo./ALPE