Çdo ditë, deri në fund të këtij muaji, 400 punëtorë sezonalë shqiptarë, mund te hyjnë në Greqi përmes Kapshticës.

Autoritetet greke kanë njoftuar se do të hapin kufirin në drejtim të Greqisë, vetëm për ata të cilët mbajnë statusin e punëtorit sezonal.

Rregullat e vendosura nga vendi fqinj, kërkojnë që këta punëtorë, më parë t’i nënshtrohen një testi të shpejtë Covid 19, në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë e gjithashtu duhet të plotësojnë edhe formularin e regjistrimit PLF.

Por, edhe pse prej nëntorit, kufiri vijon të jetë i mbyllur, për banorët e zonës, nuk ka qenë e pamundur të kalojnë në anën tjetër. Shtigjet në fshatrat kufitare, që përdoren nga emigrantët e vendeve të Lindjes, për të kaluar ilegalisht, u kanë shërbyer edhe banorëve për të lëvizur në anën tjetër.

Ndërsa hyrja drejt Greqisë është hapur vetëm për të plotësuar nevojat e fermerëve grekë për krah pune, dalja nga Greqia dhe hyrja drejt vendit tonë, do të jetë e lejuar nga ora 06:00 deri në orën 22:00, për të gjithë shtetasit dhe kategoritë e mjeteve.