Nga Adriatik Doçi/Që të dhjetë ish gjyqtarët e nivelit të lartë, të cilët po hetohen nga SPAK për fshehje pasurie, deklarim të rremë dhe mashtrim me pasuritë, janë emëruar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta në Gjykatë e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese, në vitet 2008-2013, në bashkëpunim me ish presidentët Bamir Topi dhe Bujar Nishani, në kuadër të planit të tyre për kontrollin e kupolës së drejtësisë, përmes njerëzve të besuar. Shqiptarja.com ka mësuar se nën hetim nga SPAK për pasuri të dyshimta janë ish anëtarët e Gjykatës së Lartë Tom Ndreca, Shkëlzen Selimi, Edmond Islamaj, Guxim Zenelaj, Aleksandër Muskaj dhe Artan Zeneli, si dhe ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja, bashkë me ish anëtarët Fatos Lulo, Gani Dizdari dhe Besnik Imeraj.

Në zbatim të ligjit anti-mafia, deri më tani, SPAK ka kërkuar sekuestrimin e një pjesë të pasurisë së Bashkim Dedes, Fatos Lulos dhe Shkëlzen Selimin, kërkesë e cila është pranuar nga Gjykata Speciale. Që të tre janë shkarkuar nga Vetingut kryesisht për mosjustifikim të pasurive me burime të ligjshme. Nga Vetingu janë shkarkuar edhe Ndreca, Dizdari, Islamaj dhe Artan Zeneli. Ndërkaq, Guxim Zenelaj, Aleksandër Muskaj dhe Besnik Imeraj kanë dhënë dorëheqjen nga drejtësia, duke i shpëtuar përballjes me Vetingun.

Që të gjithë ish gjyqtarët janë ngjitur në krye të drejtësisë shqiptare falë besimit të Sali Berishës dhe Ilir Metës, të cilët kontrollonin shumicën në Kuvend deri në vitin 2013. Madje, disa anëtarë në Gjykatën Kushtetuese dhe të Lartë, Sali Berisha i ka emëruar me urgjencë vetëm disa muaj para se të largohej nga pushteti, pa konsensusin e opozitës së atëhershme. Asnjë prej të emëruarve nuk arriti të kalonte filtrin e trefishtë të Vetingut.

Pas largimit nga sistemi falë veprimit të ligjit të Vetingut, këta ish gjyqtarë tashmë rrezikojnë të humbasin pasuritë e pajustifikuara dhe të dënohen nga Gjykata Speciale. Kjo duket se është një tjetër arsye se pse Berisha dhe Meta javët kanë intensifikuar sulmet ndaj SPAK dhe reformës në drejtësi në tërësi.

Ish gjyqtarët VIP nën hetim nga SPAK:

1. Bashkim Dedja, ish kryetar i Gjykatës Kushtetuese, i emëruar në 2010 nga PD-LSI, i shkarkuar nga Vetingu për pasurinë. I është sekuestruar një pjesë e pasurisë me kërkesë të SPAK.

2. Fatos Lulo, ish anëtar i Gjykatës Kushtetuese, i emëruar në 2010 nga PD-LSI, i shkarkuar nga Vetingu për pasurinë. I është sekuestruar një pjesë e pasurisë me kërkesë të SPAK.

3. Shkëlzen Selimi, ish gjyqtar në Gjykatën e Lartë, i emëruar nga PD-LSI në vitin 2011, i shkarkuar nga Vetingu. I është sekuestruar një pjesë e pasurisë me kërkesë të SPAK.

4. Gani Dizdari, ish gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, i emëruar në 2013 nga PD-LSI, i shkarkuar nga Vetingu për pasurinë. Nën hetim nga SPAK për fshehje pasurie.

5. Besnik Imeraj, ish gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, i emëruar nga PD-LSI në 2013. Dha dorëheqjen më 31 janar 2018, duke shmangur vetingun. Nën hetim nga SPAK për fshehje pasurie.

6. Tom Ndreca, ish gjyqtar në Gjykatën e Lartë, i emëruar nga PD-ja në 2013, i shkarkuar nga Vetingut, për shkak të mosjustifikimit të pasurisë dhe kontakteve me një person të inkriminuar. Nën hetim nga SPAK për fshehje pasurie.

7. Edmond Islamaj, ish gjyqtar në Gjykatën e Lartë, i emëruar nga PD-LSI në 2011, i shkarkuar nga Vetingu për pasurinë. Nën hetim nga SPAK për fshehje pasurie.

8. Guxim Zenelaj, ish gjyqtar në Gjykatën e Lartë, emëruar nga PD në 2008. I dorëhequr në 2017 para Vetingut. Nën hetim nga SPAK për fshehje pasurie.

9. Aleksandër Muskaj, ish gjyqtar në Gjykatën e Lartë, emëruar nga PD në 2008. I dorëhequr në 2017 para Vetingut. Nën hetim nga SPAK për fshehje pasurie.

10. Artan Zeneli, ish gjyqtar në Gjykatën e Lartë, , i emëruar nga PD-LSI në 2012. I shkarkuar nga Vetingu për pasurinë. Nën hetim nga SPAK për fshehje pasurie./ Shqiptarja.com