Është ndarë nga jeta në moshën 85-vjeçare, boksieri dhe komentatori i njohur i boksit, Ahmet Golemi. Lajmin e ndërrimit nga jeta të Golemit e ka dhënë i biri i tij nëpërmjet rrjeteve sociale.
Ahmet Golemi është shpallur 5 herë kampion në Shqipëri, gjithashtu ai do të mbahet mend edhe si komentatori më i mirë i boksit në vend.
Në një intervistë të një viti më parë për sportin e boksit, Golemi do të shprehej: “Boksi shqiptar u burgos në 1964-ën, kur në janar në “Sporti” nuk u shpall kalendari i aktiviteteve kombëtare të tij për vitin. Heshturazi doli që është hequr, por nuk foli askush.
Boksierët kaluan në sporte të tjera, por jehona mbeti, pasi boksi si sport individual ishte shumë popullor dhe kishte yjet e tij. Shumë pasionantë e ndiqnin fshehurazi nga kanali televiziv italian, apo ai jugosllav, sidomos kur takimet organizoheshin në Amerikë, që korrespondonte me orët e mëngjesit në Europë. Dolën yje si italiani Benvenuti dhe Kasisu Klei, një emër që të godiste bukur”.